Serbia duhet të ketë një ushtri të fortë, sepse pa të nuk do të mund të ekzistonte si shtet, por vetëm si një territor imagjinar.
Kështu të paktën ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili të shtunën ka qëndruar Qendrën Operative të Shërbimit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, raportojnë mediat serbe.
Nga këtu Vuçiç ka paralajmëruar më shumë investime të mëdha në ushtri dhe pajisje ushtarake “për të frenuar çdo agresor”.
Më tej Vuçiç ka vlerësuar se Serbia është e rrethuar nga shtetet anëtare të NATO-s, ndërsa ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të ekzistojë fare marrë për bazë Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“FSK-ja nuk guxon të ekzistojë, ata kanë mjete të blinduara të tipit të lehtë”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.
Departamenti amerikan i Shtetit në anën tjetër potencoi se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.
Ndërsa kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, potencoi se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet.
Ndërkaq, Vuçiç cilësoi lajmin si “zhgënjim të madh”.