Lajme
Vuçeviç: Vetëm KFOR-i ta ruajë kufirin e Kosovës
Demokracia
16:50 | 25 Tetor 2023

Share:

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, ka thënë se vetëm pjesëtarët KFOR-it duhet të patrullojnë nga ana e Kosovës dhe jo Policia Kufitare.

“Ne fuqishëm inkurajojmë një komunikim të drejtpërdrejtë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe komandantit të KFOR-it dhe ne insistojmë që vetëm pjesëtarët e KFOR-it të jenë të pranishëm përgjatë vijës administrative nga ana e Kosovës”, tha Vuçeviç pas takimit me homologun e tij nga Turqia, Jashar Guler.

Gjatë takimit me ministrin turk, Vuçeviç po ashtu ka folur për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Turqia.

“Jam i kënaqur, nuk them me premtimet apo garancitë, por me mesazhet që morëm nga Guleri lidhur me armatosjen e FSK-së”, theksoi Vuçeviç.

Ndërkaq, Guler tha se Turqia mbështet paqen, stabilitetin dhe pjesëmarrjen e shteteve të Ballkanit në organizata ndërkombëtare, por edhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Shteti ynë, që ka marrë komandën e KFOR-it, do të vazhdojë t’i japë prioritet stabilitetit, sigurisë dhe rendit”, potencoi Guler.

Ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, javën e kaluar ka qenë për vizitë edhe në Kosovë, ku është takuar me krerët e institucioneve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Guler, me të cilin, përveç ruajtjes dhe vazhdimit të marrëdhënieve të forta dypalëshe në fushën e mbrojtës, kishte diskutuar edhe për situatën e sigurisë në vend pas sulmit terrorist në fund të muajit shtator në pjesën Veriore të Kosovës.

“Kënaqësi të pres për drekë ministrin turk të Mbrojtjes Yasar Guler. Ne kemi diskutuar mënyrat për të vazhduar marrëdhëniet tona të forta dypalëshe në fushën e mbrojtjes. Unë gjithashtu kam ritheksuar angazhimin tonë për të ruajtur paqen dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë kundër dhunës terroriste”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Turqia më 10 tetor ka marrë zyrtarisht përsipër komandën njëvjeçare të Forcës së NATO-s në Kosovë, në një periudhë kur harku i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, posaçërisht pas sulmit terrorist të 14 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën Veriore të Kosovës.

Të ngjashme