Lajme
Vuante dënimin në Dubai lirohet nga burgu Eldi Dizdari, Italia e kërkon për “Los Blancos”
Demokracia
16:29 | 24 Dhjetor 2022

Share:

I kërkuari nga drejtësia Italiane, për trafik droge dhe njeriu i dyshuar për një ngjarje kriminale në Shqipëri, Eldi Dizdari alis Denis Matoshi, është liruar nga burgu, ku vuante një dënim për në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi ka përfunduar dënimin në shtetin islamik.

Gazetari i Ora News Elton Qyno bën me dije se se Dizdari fillimisht u ndalua pas një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritet italiane, si njëri nga anëtarët e tjerë të grupit shqiptar “Los Blancos”, të cilët trafikonin kokainë nga Ekuadori në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Por teksa, Dizdari mbahej në burg mësohet se atij dy vite më parë i është komunikuar një tjetër urdhër ndalimi, këtë herë nga vetë drejtësia e Dubait. Pasi dyshohej se përmes veprimeve korruptive tek gardianët, kishte arritur të fuste brenda në qeli, një aparat telefonik. Për këtë krim, Eldi Dizdari u gjykua dhe dënua nga shteti Islamik. Ndërsa pak kohë më parë shqiptari i skeduar në veprimtarinë e trafikut të kokainës dhe në masakrën e ish-bllokut të 4 Tetorit 2018, ka përfunduar dënimin dhe liruar nga burgu. Në muajin shtator 2020, policia e Dubait njoftoi arrestimin e Eldi Dizdarit alias Denis Matoshit, për llogari të prokurorisë së Firences.

Si u godit karteli i fuqishëm shqiptar me emrin “Kompania Bello’”.

“Los Blancos” operacioni ndërkombëtar i shtrirë në 10 shtete, përfshi edhe Shqipërinë, për të cilin u hetua plot 5 vite, rezulton të jetë operacioni më i madh kundër një grupi kriminal të kokainës, që drejtohej nga një shqiptar.

Nga hetimet ka rezultuar se “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën drejtohej nga një shqiptar.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia, si dhe numri i personave të arrestuar ka shkuar në 20 persona.

Kreu i “Kompanisë Bello” rezulton të jetë Gramoz alias Dritan Rexhepi, i njohur për një tjetër ngjarje të bujshme në Shqipëri, siç ishte pengmarjra dhe vrasja e Jan Prengës. Rexhepi u arrestua në Ekuador në vitin 2014 duke transportuar një ngarkesë prej 278 kg kokainë.

Si pjesë e grupit u arrestua në Dubai edhe Eldi Dizdari, apo i njohur ndryshe si Denis Matoshi. Ai është shpallur në kërkim pas masakrës së “ish-Bllok”, pasi dyshohej si një nga personat kyç që ka lidhje me ngjarjen e rëndë. Dyshohet se Eldi Dizdari kishte mosmarrëveshje me biznesmenin Ervin Mata për pazare droge dhe kjo ka çuar në përplasjen mes tyre. Dizdari është kushëriri i Arbër Çekajt, pronari i kompanisë “Arbri Garden” ku para më shumë se një viti u sekuestrua një sasi prej 613 kilogramësh kokainë.

Të ngjashme