Lajme
Vritet një peng izraelit në Gaza, spitali Nasser tërësisht jashtë kontrollit
Demokracia
14:47 | 09 Dhjetor 2023

Share:

Një nga izraelitët që mbahen peng në Rripin e Gazës, Sahar Baruch, 25 vjeç, është vrarë në këtë territor, thanë në një deklaratë për media autoritetet dhe familjet e pengjeve.

“Ne do të kërkojmë kthimin e trupit të tij si pjesë e çdo marrëveshjeje për lirimin e pengjeve. Ne nuk do të ndalemi derisa të gjithë të jenë në shtëpi”, thuhet në deklaratë.

Kjo vjen pasi krahu i armatosur i Hamasit publikoi një video të premten, e cila tha se tregonte pasojat e përgjakshme të një operacioni të dështuar izraelit për të liruar një peng.

Pamjet – të cilat nuk janë verifikuar – duket se tregojnë një burrë duke folur disa javë më parë. Në dysheme u pa gjak – si dhe pajisje ushtarake, të cilat Hamasi pretendonte se i kishte kapur.

Videoja përfundoi me imazhe të tmerrshme të një trupi të gjakosur, i cili dukej se ishte i të njëjtit peng.

Izraeli tha se dy nga ushtarët e tij u plagosën rëndë në një përpjekje për të shpëtuar një nga pengjet që ende mbahen në Gaza. Një zëdhënës ushtarak tha se nuk ishte gjetur asnjë peng, por se një numër luftëtarësh të armatosur të Hamasit janë vrarë.

Nuk ishte e qartë nëse ai po fliste për të njëjtin incident të përshkruar në videon e Hamasit, dhe deklarata që njoftonte vdekjen e Baruch nuk specifikonte detaje.

Nga ana tjetër, drejtori i spitalit Nasser në Khan Younis, Nahed Abu Taima, tha se situata ka dalë jashtë kontrolli dhe nuk numërohen më as të plagosurit, e as të vdekurit.

“Kemi humbur kontrollin përballë numrit të madh të të plagosurve që kanë mbërritur në spital”, shpjegoi ai për britaniken BBC. “Qindra të plagosur dhe dëshmorë mbërrijnë në urgjencë”.

“Me bombardimet e vazhdueshme izraelite të disa zonave në Khan Younis, ne jemi të detyruar t’i trajtojmë të lënduarit në terren dhe në korridoret e departamenteve për shkak të mungesës së furnizimeve mjekësore”.

Të ngjashme