Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë. Sipas zyrtarëve që merren me mbrojtjen e grave, 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat.
Një vrasje tjetër e një gruaje, ajo e 35-vjeçarësshtatzëne, e ka alarmuar sërish shoqërinë për dhunën në familje. Kjo është vetëm një nga disa vrasjet e grave brenda një viti si pasojë e dhunës në familje.
Opinioni publik në Kosovë i shokuar nga ky rast shprehu indinjatën duke organizuar protesta në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.
35-vjeçarja shtatzënë u vra me armë nga ish-bashkëshorti i saj, para Klinikës së Gjinekologjisë, pranë QKUK-së.
Para vrasjes ajo kishte përjetuar dhunë fizike, tortura e maltretime për të cilat kishte kërkua edhe mbrojtja e shtetit.
Hamide Magashi, kishte një urdhër-mbrojtje që vlente deri në mars të 2023, ndërsa kishte raportuar burrin e saj në korrik për dhunë në familje.
Magashi po qëndronte në repartin e Gjinekologjisë pasi priste të lindte foshnjën e saj. Ajo u vra më 30 nëntor 2022, në oborr të kësaj klinike e i dyshuari pasi kreu krimin u largua nga vendi i ngjarjes. Pak ditë më pas ish-bashkëshorti i saj kreu vetëvrasje.
Tjetër rast që tronditi vendin është edhe ai i 63-vjeçares, Sanije Godeni, e cila u privua nga jeta të premten e 25 nëntorit, nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar. Ky i fundit dyshohet të ketë goditur të ndjerën me sëpatë. I njëjti është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës.
Motivet e vrasjes akoma nuk dihen dhe krahas kësaj, duhet theksuar se për rastin e vrasjes së 63-vjeçares nuk u raportua më parë për përdorim të dhunës.
Rasti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Ndërsa, pak ditë më parë një grua 67-vjeç vdiq pas plagëve të marra nga dhuna në familje.
67-vjeçaren dyshohet se e rrah nga kunata e saj dhe ndërroi jetë pas 3 ditësh.
E dyshuara e ka pranuar fajin, duke thënë se e ka rrahur viktimën.
“E pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes – motrën e bashkëshortit të saj, me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë, e pandehura me anë të një shkopi prej druri të modifikuar e godet disa herë viktimën në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi e njëjta ka ndërruar jetë me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30″, thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Ndërsa, në fillim të viti 2022, me 5 janar një grua ishte vrarë nga bashkëshorti i saj në Llaushë të Skenderajt.
Lirije Qerimaj pesë ditë para se të vritej kishte raportuar në polici burrin e saj.
Në ditën kur pritej të bëhej kërkesa për mbrojtje, ajo ishte vrarë nga burri i saj i cili ishte dorëzuar më pas në polici me të njëjtën armë që kishte kryer aktin. Lirije Qerimaj ishte qëlluar gjashtë herë me plumba në trup nga Skender Qerimaj.
Ndryshe, sipas të dhënave të Policisë gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2022 janë raportuar 2 mijë e 471 raste të dhunës në familje, prej tyre viktima të dhunës kanë qenë 2 mijë e 55 femra dhe 462 meshkuj. /Demokracia.com/