Lajme
Vrasja në Vushtrri dyshohet se erdhi pas dëmtimit të një veture
Demokracia
19:17 | 30 Tetor 2023

Share:

Një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur nga të shtënat me armë zjarri të dielën në Vushtrri, ndërsa motivi që ka çuar deri te ky akt, dyshohet të jetë dëmtimi i një veture.

Këtë e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Fetije Bajrami, e cila tha se lidhur me rastin janë katër të dyshuar.

“Një nga ta për vrasje të rëndë dhe tre tjerë për pjesëmarrje në rrahje. Motivet janë kanë për një kerr janë rrahë paraprakisht një ditë më herët, që ia kanë dëmtu këtij të pandehurit, e kanë pas një rrahje mes vete. Ata tjerët grup që janë kanë s’i kena gjet hala”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për paraburgim, të cilën është duke e punuar.

Se janë katër të dyshuar për rastin e vrasjes në Vushtrri, e konfirmoi edhe Kryeprokurori Ismet Ujkani, i cili po ashtu tha se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Policia e Kosovës (PK) të hënën ka njoftuar se numri i të arrestuarve për vrasjen e së dielës, ka shkuar në pesë.

Ndërsa, Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë mbrëmë për “Betimi për Drejtësi” se gjendja shëndetësore e njërit të plagusur është e rëndë, ndërsa e tjetrit stabile.

Të ngjashme