Lajme
Vrasja në “Kobra City”, Prokuroria jep detaje
Demokracia
11:51 | 03 Janar 2023

Share:

Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se ka nisur hetimet për rastin e vrasjes së 31-vjeçarit nga Kukësi në afërsi të lokalit “Kobra City”. Prokurorja e rastit, Nazan Shero, ka thënë se janë në fazën e hetimeve fillestare dhe po intervistohen pesë të dyshuar.

“Rreth orës 5 të mëngjesit kemi marrë informatat e para për rastin. Mandej kemi marrë informacione nga Kukësi për një të vdekur dhe një të plagosur. Janë duke vazhduar hetimet” .

Policia e Kosovës ka konfirmuar se personi i ndaluar si i dyshuar për rastin është Dibran Hoxhaj, pronar i lokalit “Kobra City”, ndërsa nga prokuroria thonë se katër personat e tjerë janë pjesë e stafit të lokalit.

“Informacionet e para janë se janë pjesë të stafit. Tash a janë kamariera apo garda ende nuk e di me saktësisht”, tha prokurorja Shero për Insajderin.

Si ndodhi vrasja

Sot në orët e para të mëngjesit, nga të shtënat me armë zjarri ka vdekur një 31-vjeçar dhe një 27 vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri, në një lokal në Prizren.

Dyshohet se biznesmeni Dibran Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri drejt tre të rinjve nga Kukësi, teksa ata ishin duke u larguar me makinë nga lokali.

Plumbat kanë prekur dy prej të rinjve, ndërsa i kanë marrë jetën Visart Cengut dhe kanë plagosur Rufgen Shehun.

Visart Cengu është 31-vjeçari që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Kukësit. Ndërsa Rufgen Shehu sipas policisë ndodhet në spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.

Shoku i tyre, Arben Basha ka deklaruar në polici se ndaj tyre ka qëlluar Dibran Hoxhaj në momentet që ata po largoheshin me automjet nga lokali.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se pronari i lokalit Kobra City, Dibran Hoxhaj është arrestuar, pasi dyshohet për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Insajderi se së bashku me Hoxhën në stacionin policor janë shoqëruara edhe pesë persona të tjerë.

Të ngjashme