Avokatja Fehmije Gashi – Bytyqi ka folur për rastin e vrasjes së 21-vjeçares sot në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku tha se vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre tashmë është bërë dukuri dhe se vetëm format janë ato që po ndryshojnë.
Gashi-Bytyqi tha se i gjithë shteti duhet që të mobilizohet në mënyrë që dënimet të jenë më të ashpra dhe të ketë masa preventive në parandalimin e këtyre rasteve.
“Kodi Penal i Kosovës e precizion se vrasja e bashkëshortes, pavarësisht rrethanës se a kanë qenë në procedurë divorci apo jo, duhet të ndëshkohet me burgimin maksimal, i cili është burgim i përjetshëm”, tha Gashi-Bytyqi në “Edicioni Special”.
Këtë të premte në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj një burrë i moshës 36 vjeçare e ka vrarë një grua 21 vjeçe dhe e ka plagosur vëllanë e viktimës, i cili ishte 15 vjeç.
E gjithë ngjarja, sipas policisë, raportohet të ketë ndodhur rreth orës 14:40, ndërsa i dyshuari është arrestuar rreth orës 15:15.