Lajme
Vrasja e 2019-ës, Policia bllokon rrugën në Kolovicë
Demokracia
09:28 | 14 Korrik 2022

Share:

Më 27 shkurt të vitit 2019 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë ishte vrarë Abit Jashari.

I dyshuari kryesor për vrasjen e Abit Jasharit është Besnik Shkodra, i cili në atë kohë ishte 26-vjeçar dhe është vëllai i gruas së të ndjerit Abit Jashari, shkruan Demokracia.com.

Më shumë se 3 vjet më vonë, Policia e Kosovës me urdhër prokurorit të rastit e ka bllokuar rrugën “Haxhi Zeka” në lagjen Kolovica për rikonstruimin e ngjarjes.

Sipas raportimeve të mediave në atë kohë, Abit Jashari nuk kishte pasur probleme me bashkëshorten e tij, por me vëllain e saj, Besnik Shkodra, shkruan Demokracia.com.

Duke iu referuar gjithmonë raportimeve të asaj kohe, Abit Jashari kishte pasur probleme me vëllain e gruas së tij një ditë para vrasjes dhe se ata janë përleshur fizikisht afër vendit të punës së të ndjerit.

Më pas, Abit Jashari sipas familjarëve kishte shkuar në polici bashkë me gruan e tij dhe e kishte paraqitur rastin vullnetarisht duke thënë se ata ishin rrahur mes vete për shkak të një borxhi.

Policia e Kosovës e kishte thirrur në telefon të dyshuarin për vrasje Besnik Shkodra por ai e kishte mohuar se ai ishte rrahur nga Abit Jashari dhe kishte thënë se nuk ka asnjë problem me Abit Jasharin.

Të nesërmen i dyshuari Besnik Shkodra i kishte dalë në pritë dhëndrit të tij duke e vrarë në vend në rrugën “Haxhi Zeka” në lagjen Kolovicë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

Në seancën e fundit të mbajtur më 1 qershor ishte planifikuar që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes, ndërkaq seanca e radhës pritet të mbahet më 14 korrik 2022.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. /Demokracia.com/

Më poshtë ju sjellim pamje të ditës së sotme të bllokimit të rrugës.

Më poshtë keni pamje nga momenti i vrasjes së Abit Jasharit.

https://www.youtube.com/watch?v=czAFRW7lfPc&feature=emb_title

https://www.youtube.com/watch?v=7hkiJHgyTpE

https://www.youtube.com/watch?v=d4L2wCu8NC4

Të ngjashme