Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka votuar në një prej qendrave të votimit në Surrel i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama.
Duke folur për problemet e shkaktuara në orët e para për shkak të votimit elektronik, Rama ka dhënë dhe një mesazh për KQZ.
“Janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Uroj që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në ato zona ku në fillim nuk punuan aparatura. Të gjithë ata që nuk votuan herën e parë, uroj të kthehen sërish të japin votën e tyre”, tha ai.
Sot në Shqipëri po mbahen zgjedhjet për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 61 bashkive dhe për përbërjet e reja të këshillave bashkiake.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 10:00 ishte 8.08 për qind.