Lajme
Voton Ahmeti: Uroj që procesi të shkojë mirë, zgjedhjet të jenë të pranueshme për të gjitha palët
Demokracia
16:25 | 08 Maj 2024

Share:

Lideri i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, ka uruar që procesi i zgjedhjeve parlamentare dhe raundi i dytë i atyre presidenciale të shkojë mirë dhe sipas të gjitha standardeve.

Këto komente, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim i ka bërë pasi që ka votuar në qendrën e vendvotimit në fshatin Zajaz të komunës së Kërçovës.

“Uroj që procesi të shkojë mirë sipas të gjitha standardeve, të jenë zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët”.

“Dhe të mos kemi devijim nga kursi euroatlantik i vendit, t’i qojmë të gjitha proceset për para për më shumë paqe dhe stabilitet”.

Është e rëndësishme, sipas tij, “të kemi zero problem me fqinjët, kjo është ajo që dua të triumfojë si opsion e si filozofi në këto zgjedhje”.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), njoftoi se deri në orën 13:00 në zgjedhjet presidenciale kanë votuar 302 mijë e 158 qytetarë apo 23.95 për qind nga rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 312 mijë qytetarë apo 25.84 për qind e trupit elektoral.

“Nga gjithsej 1.261.526 votues të regjistruar kanë votuar 302.158 ose 23,95%. Aktualisht, dalja më e madhe për zgjedhjet presidenciale është në Kriva Pallankë me 46,44%. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet presidenciale u regjistrua në Likovë me 3,28%”, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.

“Deri në orën 13:00 janë marrë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet parlamentare nga 2348 vendvotime. Nga gjithsej 1.207.922 votues të regjistruar në këto vendvotime, votuan 312.070 ose 25.84%. Aktualisht dalja më e lartë për zgjedhjet parlamentare është në Krivogastan me 48,65%, ndërsa pjesëmarrja më e ulët në Mavrovë dhe Rostushë me 11,91%”.

Në garën presidenciale janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet. E vota e shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të jetë vendimtare për presidentin e ri të vendit.

Ndërsa, në zgjedhjet parlamentare në taborin shqiptar gara zhvillohet në mes të “Frontit Europian”, dhe koalicionit “VLEN”, derisa në kampin maqedonas sipas sondazheve pritet një fitore e thellë e partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, kundrejt LSDM-së.

Të ngjashme