Lajme
Votohet në Qeveri koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Demokracia
14:09 | 13 Prill 2021

Share:

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 6-të me radhë ka miratuar concept dokumentin për pasurinë e fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, para kabinetit qeveritar tha se pas miratimit të këtij koncept-dokumenti do të hartojë projektligjin që do të përmbajë rregullimin e koncepteve për hetimin e pasurisë së pajustifikueshme që ju takon personave të dyshuar, raporton Demokracia.com.

“Ministria e Drejtësisë ka iniciuar koncept-dokumentin për pasurinë e fituar në mënyrë të pajustifikueshme, mangësitë dhe problemet që ekzistojnë në këtë fushë. MD pas miratimit të këtij koncept-dokumenti do të hartojë projektligjin që do të përmbajë rregullimin e koncepteve për hetimin e pasurisë së pajustifikueshme që ju takon personave të dyshuar. Synohet që të themelohet një agjenci e pavarur, e cila inicion procedurën ndaj personave të dyshuar që kanë fituar pasurinë në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë ajo.

Haxhiu më tej tha se ky ligj do të gjejë zbatim që para shpalljes së pavarësisë dhe sipas saj do të mbrojë interesin publik.

“Nuk kërkohet që njëherë të dënohet personi me aktgjykim dënues e pastaj të fillojnë procedurat e konfiskimit ndaj tij. Ky ligj do të gjejë zbatim që para shpalljes së pavarësisë. Ky ligj do të mbrojë interesin publik, në drejtim të asaj se pasuria publike mbetet e qytetarëve”, tha Haxhiu.

Haxhiu po ashtu tregoi se draft koncept-dokumenti trajton tri opsione kryesore, status quo-në pa asnjë ndryshim, përmirësimi i zbatimit të krijimit ligjor pa ndryshime legjislative, opsion që ka adresuar probleme, por, sipas saj, e ka të pamundur që të ofrojë bazë të re ligjore, dhe së fundmi hartimi i ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë.

“Draft koncept dokumenti trajton tri opsione kryesore, status quo-në pa asnjë ndryshim, përmirësimi i zbatimit të krijimit ligjor pa ndryshime legjislative, opsion që ka adresuar probleme, por e ka të pamundur që të ofrojë bazë të re ligjore, dhe së fundmi hartimi i ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë. Pas analizës së bërë, opsioni për miratimin e ligjit vlerësohet se më i përshtatshëm për t’i adresuar problematikat e identifikuara”, tha Haxhiu./Demorkacia.com/

Të ngjashme