Lajme
Votat e ardhura nga diaspora, si shkoi i gjithë procesi deri te numërimi?
Demokracia
14:08 | 02 Mars 2021

Share:

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) sot ka nisur numërimi i votave të ardhura përmes postës nga vendet jashtë. Organizata jo-qeveritare “Germin” në një përgjigje për Demokracia.com konfirmon se në zgjedhjet e 2021-tës, pati tre herë më shumë votues nga diaspora se sa në 2019-tën.

Sot ka nisur procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora, nga data 2 deri më 12 shkurt. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“KQZ ka përmbyllur të hënën në mesnatë numërimin e votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, ndërsa mëngjesin e së martës ka filluar me numërimin e votave që kanë ardhur përmes postës nga data 2 shkurt deri më datë 12 shkurt.”, ka thënë ai.

Nga organizata jo-qeveritare “Germin”, për Demokracia.com kanë dhënë më shumë detaje rreth procesit, që prej kur u dorëzuan pakot me vota.

Nga “Germin” për Demokracia.com tregojnë se kjo organizatë jo-qeveritare shërbeu edhe për informimin e diasporës, për datat e zgjedhjeve, procedurat për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe votimin me postë.

“Germin” thotë se kanë akredituar gjithsej 11 vëzhgues tek KQZ-ja për të përcjellur procesin e pranim-dorëzimit të pakove me fletëvotime nga posta.

‘’Po ashtu ne kemi akredituar 11 vëzhgues tek KQZ-ja për të përcjellur tërë procesin qysh nga fillimi kur është bërë pranim-dorëzimi i pakove me fletëvotime të diasporës nga Posta e Kosovës dhe postat tjera private’’, thonë nga “Germin”.

“Germin” bën të ditur se 43 mijë pako janë bartur nga vendvotimet e deri tek objekti i QNR-së në Fushë-Kosovë.

‘’Më pas është bërë bartja 43 mijë pakove tek objekti i QNR në Fushë Kosovë, ku edhe është duke u bërë ende verifikimi final i këtyre pakove para se të numërohen, dhe për dallim me zgjedhjet e kaluara, KQZ është detyruar që procesin e verifikimit ta bëjë tek QNR, kurse më parë një gjë e tillë bëhej në një hapësirë tjetër, brenda ambientit të Ministrisë se Infrastrukturës’’, thanë nga Germin për Demokracia.com

KQZ-ja në këto zgjedhje për herë të parë telefonoi edhe votuesit nga jashtë vendit, për të verifikuar aplikuesit që do të merrnin pjesë në zgjedhje.

‘’Në procesin e vlerësimit të aplikuesve nga jashtë për t’u regjistruar si votues ng jashtë, për herë të parë, KQZ mrri vendimin që si mjet i verifikimit të jenë edhe telefonatat nga KQZ tek aplikuesit, gjë që nuk ishte bërë më parë. Kjo shkaktoi shumë pakënaqësi dhe irritim tek diaspora pasi që shumë personave për arsye teknike, u është pamundësuar futja në listën e votuesve nga jashtë’’, thuhet në përgjigjen e kësaj organizate.

Sidoqoftë, nga “Germin” thonë se në këto zgjedhje pati tre herë më shumë aplikues nga diaspora  për të marrë pjesë në proces.

‘’Këtë vit kanë aplikuar rreth 140 mijë persona nga diaspora për të fituar të drejtën e votës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Prej tyre vetëm 103 mijë janë aprovuar dhe regjistruar si votues nga jashtë nga KQZ-ja. Në qoftë se e krahasojmë me vitin 2019 kur kishim vetëm 40 mijë aplikues, këtu e shohim që kemi mbi trefishim të numrit të aplikuesve. Deri më tash janë anuluar rreth 22,550 votues. Ne shpresojmë që ky numër te bie nga ri-verifikimi i këtyre pakove, pasi që ky numër pasqyron rreth 28% të të gjithë votuesve nga pakot e pranuara dhe është mjaft dëshpëruese, duke marrë parasysh mundin dhe shpenzimet e tyre për të votuar nga jashtë’’, thuhet në përgjigje.

Për shkak të numrit të madh të aplikimeve, KQZ-ja u detyrua që të shtojë edhe numrin e kompjuterëve dhe komisionerëve.

‘’Poashtu, për shkak të numrit rekord të aplikimeve dhe pakove, KQZ është detyruar që të shtojë numrin e kompjuterëve dhe komisionerëve gjatë procesit të verifikimit pasi që me numrin fillestar të tyre, procesi do të zgjatej tejmase’’, thonë nga Germin.

Nga “Germin” për Demokracia.com thonë se procesi i verifkimit ishte mjaft transparent nga KQZ-ja, duke dhënë mundësinë për vështrim nga afër

‘’Procesi i verifikimit ka qenë mjaft transparent nga KQZ-ja dhe të gjithë vëzhguesit e akredituar kanë pasur mundësi që të vështrojnë nga afër të tërë procesin’’, thotë “Germin”.

Sipas kësaj organizate, numri i vëzhguesve ishte i kënaqshëm në këto zgjedhje dhe ishte e pamundur për manipulime, pasi që vëzhgimi i tërëkohshëm bëhet nga vëzhgues të akredituar të shoqërisë civile dhe të partive politike.

‘’Numri i vëzhguesve ka qenë i kënaqshëm në procesin e verifikimit të pakove të pranuara me postë dhe hapësirat për manipulim janë shumë të vogla për të mos thënë të pamundura pasi që në çdo moment ka vëzhgim të vazhdueshëm nga vëzhguesit e akredituar të shoqërisë civile dhe të partive politike’’, përfundoi Germin.

Kujtojmë se sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 14 shkurtit duke fituar mbi 47 për qind të votave.

LVV pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 29 Qershor 2024