Lajme
Vota e Serbisë kundër Kosovës në KiE, BE: Të zbatohen të gjitha nenet e marrëveshjes së Ohrit
Demokracia
11:07 | 27 Prill 2023

Share:

Bashkimi Evropian është në dijeni se Serbia, të hënën e 24 prillit, votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke shkelur kështu Aneksin e marrëveshjes së Ohrit.

Këtë e ka thënë në një përgjigje për klankosova.tv, Zoi Muletier, zyrtare për shtyp për Fqinjësi dhe Zgjerim, në të cilën specifikon se BE pret që palët të zbatojnë të gjitha nenet e kësaj marrëveshjeje.

Madje për këtë çështje, ajo ekskluzivisht tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë në takimin e tyre që do zhvillohet më 2 maj.

”Vëmë re se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës votoi të hënën pro dërgimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Asamblenë e saj Parlamentare (APKE). Këtë e vendosin anëtarët e Këshillit të Evropës”.

”Në dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja pret që të gjitha nenet e marrëveshjes të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër”.

BE-ja si lehtësuese e dialogut Beograd-Prishtinë shton se është plotësisht e vetëdijshme për ndjeshmëritë dhe kompleksitetet politike që lidhen me procesin e zbatimit.

“Për këtë arsye ne u kemi paraqitur një propozim palëve për një qasje hap pas hapi në fazën e zbatimit në mënyrë që t’i ndihmojë ato të zbatojnë detyrimet e tyre. Ajo ndjek një logjikë të thjeshtë që secila palë duhet të bëjë diçka për të marrë diçka”.

Sipas BE-së, kjo është e vetmja mënyrë realiste për t’i realizuar gjërat dhe ofron një ekuilibër dhe garanci.

“Kryenegociatorët nuk mundën të arrinin një marrëveshje më 4 prill në Bruksel dhe diskutimet vazhdojnë. Prandaj, liderët pritet të diskutojnë këtë çështje në takimin e nivelit të lartë më 2 maj”.

Tutje, BE shton se ndërkohë që diskutimet vazhdojnë, asnjëra palë nuk duhet të vendosë ndonjë parakusht pasi nuk mund të funksionojë kështu zbatimi i marrëveshjes dhe gjithashtu bie ndesh me atë që është rënë dakord.

Kujtojmë se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar të hënën (24/04/2023), me më shumë se 2/3 e votave ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KiE-së kërkesën për anëtarësim të Kosovës.

Si zakonisht, Serbia edhe kësaj here ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Mirëpo e pazakonshmja është se tani ekziston një marrëveshje që Serbia të mos e pengojë Kosovën për t’u integruar në organizata ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që ta zbatojnë propozimin e iniciuar nga Gjermania dhe Franca për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet dy vendeve që u ndanë me luftë në vitin 1999.

“Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, shkruan në nenin 4 të propozimit franko-gjerman i cili është i përbërë prej 11 pikave.

Pas marrëveshjeve të arritura më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, ka pasur zëra edhe nga Bashkimi Evropian edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se palët do të sanksionohen në rast se e shkelin marrëveshjen.

Klikoni në vegzën e mëposhtme për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje./Klan Kosova/

Të ngjashme