KF Voska Sport ka vendosur të tërhiqet nga gara e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, pas vendimit të Komisionit të Disiplinës për heqjen e 9 pikëve në një fazë vendimtare të sezonit, njofton Telegrafi.
Klubi shqiptar nga Ohri mes tjerash kanë thënë se ky është kulmi i padrejtësive të njëpasnjëshme që klubi i tyre ka përjetuar këtë vit.
“Në këtë kampionat nuk kemi luftuar vetëm kundër kundërshtarëve në fushë, por edhe ndaj padrejtësive sistematike të FFM-së, ndaj ia falim edhe 13 pikët e mbetura!”, thuhet në deklaratën e klubit.
KF Voska Sport thekson se vendimi i fundit është dëshmi e qartë se në Ligën e Parë mungon drejtësia, dhe se FFM favorizon klubet e lidhura me interesa të ngushta. Në një klimë ku nuk respektohet parimi i barazisë dhe “fair-play”-it, Voska Sport nuk sheh më vend për veten në këtë kampionat. /Telegrafi/