Sport
Voska humbë pikë në “tavolinë”, dënime të rënda edhe për Strugën e Gostivarin
Demokracia
17:16 | 23 Prill 2025

Share:

Pas incidentit në ndeshjen ndaj Vardarit, Voska Sport ndëshkohet me humbje zyrtare dhe kallëzim disiplinor, ndërsa përplasjet e dhunshme në sfidën Struga – Gostivar sjellin pezullime dhe arrestime.

Komisioni i Garave pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka regjistruar ndeshjen Voska Sport – Vardari nga xhiroja e 28-të të Ligës së Parë si fitore zyrtare 0-3 për ekipin mysafir. Kjo pasoi pasi ekipi i Voska Sport braktisi fushën i revoltuar nga vendimet e gjyqtarëve, të cilat më vonë u konfirmuan si të drejta. Edhe pas një pritjeje 15-minutëshe, Voska nuk pranoi të rikthehej në lojë.

Për këtë veprim, klubi nga Ohri është dërguar në Komisionin Disiplinor, jo vetëm për braktisjen e ndeshjes, por edhe për organizim të dobët të takimit. Gjithashtu, ndëshkime individuale janë shqiptuar për trajnerin Arbi Klodian dhe kapitenin Agon Hani, për thirrjen ndaj lojtarëve për të braktisur fushën.

Ndërkohë, ndeshja mes Struga Trim Lum dhe Gostivarit e cila përfundoi 1-1, solli tensione të mëdha pas përfundimit të takimit. Para dhomave të zhveshjes shpërtheu një përleshje fizike, që kërkoi ndërhyrjen e policisë. Katër persona nga radhët e Gostivarit – përfshirë tre futbollistë dhe një anëtar stafi – përfunduan në stacionin policor të Strugës.

Federata e Futbollit e Maqedonisë ka reaguar me masa disiplinore: Struga Trim Lum do të përballet me komisionin për organizim të dobët, trajneri i portierëve Dardan Miftari është pezulluar për një muaj, po ashtu edhe fizioterapisti i Gostivarit, Nebojsha Vasilevski. Dy futbollistët e Gostivarit, Diata Assane dhe Aias Aosman, janë pezulluar me nga katër ndeshje për sjellje josportive.

Sipas MPB-së, katër të arrestuarit akuzohen për “sulm ndaj zyrtarit policor” dhe “pengim të punonjësit në detyrë”. Ndërkohë, një tjetër hetim shqetësues është hapur lidhur me një përpjekje të pretenduar për ryshfet ndaj gjyqtarit të takimit, çështje e cila po hetohet nga Komiteti për Siguri dhe Integritet i FFM-së.

Të ngjashme