Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në një intervistë për gjermanen Bild, ka bërë me dije se mbështet dërgimin e armëve në ndihmë të Ukrainës, aq më tepër pas asaj që pa në vizitën në Kiev.
Ajo ka sqaruar sanksionet e marra deritani ndaj Rusisë, duke thënë se qëllimi ishte goditja e fortë ndaj ekonomisë ruse.
“Sanksionet hyjnë më thellë në ekonominë ruse çdo javë: Eksportet në Rusi janë goditur në 70 për qind. Qindra kompani të mëdha po i kthejnë shpinën vendit. Sipas parashikimeve aktuale, produkti i brendshëm bruto në Rusi do të bjerë me 11 për qind. Falimentimi kombëtar i Rusisë është vetëm çështje kohe. Me këtë luftë, Putin po shkatërron vendin e tij dhe të ardhmen e popullit rus”, ka shpjeguar ajo.
Në lidhje me paketën e gjashtë të sanksioneve të cilat do të merren nga BE-ja, Von der Leyen shpjegoi se do të synojë sektorin bankar, veçanërisht Sberbank, i cili vetëm përbën 37 për qind të sektorit bankar rus.