Lajme
Von Cramon: E mbështesim aplikimin e Kosovës në KiE, por jo edhe në BE
Demokracia
17:22 | 06 Korrik 2022

Share:

Parlamenti Evropian gjatë ditës së mërkurë ka miratuar rezolutën mbi raportet Kosovë-Serbi. Në këtë rezolutë theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Deputetja gjermane, Viola Von Cramon, e cila ka përgatitur raportin për Kosovën, ka deklaruar se e përkrah aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës, por jo edhe për në Bashkimin Evropian.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Von Cramon, tha se ky raport është i fuqishëm dhe gjithëpërfshirës me pika fondamentale.

“Përkrahim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kemi bërë një dallim të qartë me aplikimin për BE, kur kemi thënë se nuk është kohë e duhur për shkak të çështjes së mosnjohjes, që do të rriste pritjet lokale që do të duhej ta menaxhojmë më vonë”, ka deklaruar ajo.

Kosova ka disa javë që ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Von Cramon tha se është e nevojshme marrëveshja me bazë njohjen reciproke.

“Në tekstin e raportit, po ashtu theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që bazohet në njohjen reciproke, si parakusht për qasjen në BE të dyja vendeve. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë fort sipër në agjendën dhe marrëveshjet që janë arritur në të kaluarën. Tash po vihen në pyetje, që po tregon se nuk ka angazhim serioz dhe është kritikuar shumë nga individë, deputetë, po ashtu edhe në raportin tonë”, ka shtuar ajo.

Ajo shtoi se në raport thuhet se do t’i jepet përkrahje e plotë të dërguarit special për dialog, Miroslav Lajçak. Sipas saj, ka pasur lajme të mira për dialog pas katër vitesh, me arritjen e marrëveshjes për energjinë dhe personat e zhdukur. Mes tjerash, Von Cramon ka bërë thirrje edhe për përfshirjen e grave në procesin e dialogut.

 

Të ngjashme