Lajme
Vodhën katër çanta krahu nga gra serbe në veri, policia arreston dy të dyshuar
Demokracia
08:13 | 23 Janar 2024

Share:

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në veri të vendit, pasi dyshohet se kanë kryer veprat penale “grabitje”, “vjedhje e rëndë” dhe “vjedhje”, në katër vjedhje.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se të dyshuarit janë arrestuar rreth orës 19:30, vetëm 1 orë e gjysmë pas kryerjes së vjedhjes së katërt.

“Në stacionin policori Mitrovicë e Veriut, nga data 11.01.2024 deri më datën 22.01.2024 janë raportuar 4 raste në të cilat viktima kanë qenë femra të nacionalitet serb, të cilave iu janë vjedhur çantat e krahut derisa të njëjtat kanë qenë duke ecur rrugës.”

“Të dyshuarit janë arrestuar më datë 22.01.2024 nga Policia e Stacionit Policor në Mitrovicën e Veriut diku rreth orës 19:30, përballë Shtëpisë së Shëndetit në Mitrovicën Veriore. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, të dyshuarve u caktohet masa e ndalimit deri në 48 orë”, është shprehur Elshani për Klankosova.tv.

Ai tutje tha se rasti i parë ka ndodhu më 11 janar të këtij viti, ku rreth orës 18:30 në rrugën “Knjaz Millosh”, viktimë ka qenë një femër e nacionalitetit serb, të cilës i është vjedhur çanta në të cilën bëhet e ditur se ka pasur disa para dhe dokumente personale të Koosvë dhe Serbisë.

“Rasti i dytë ka ndodhur më datë 13.01.2024 rreth orës 20:20 në rrugën “Knjaz Millosh”, ku viktimë ka qenë një femër e re serbe të cilës i është vjedhur çanta e krahut derisa ka qenë duke ecur rrugës e vetme. Me këtë rast të njëjtës i janë vjedhur dokumentet zyrtare”.

“Rasti i tretë ka ndodhur më datë 20.01.2024, rreth orës 22:25 në rrugën “Kral Petar” në Mitrovicën Veriore, ku viktimë ka qenë një femër serbe të cilës i është vjedhur çanta e krahut, ku në ta ka pasë një telefon, një pjesë të vogël të parave dhe dokumentet e Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Elshani, njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, sipas Elshanit, rasti i fundit ka ndodhur dje, më datë 22 janar rreth orës 18:00, ku në rrugën “Knjaz Millosh”, përsëri viktimë ka qenë një femër serbe e moshës së re, të cilës i është vjedhur çanta e krahut bashkë me dokumente personale.

Elshani tha se të arrestuarit janë treguar bashkëpunues me policinë duke i pranuar veprat e kryera penale dhe se deri më tani janë gjetur tri prej katër çantave të vjedhura.

Të ngjashme