Intervista
Vlora Çitaku: Fjala “luftë” e fundit që duhet të përmendet nga krerët e shtetit – përballjen me Serbinë e fitojmë me koordinim me aleatët
Demokracia
15:58 | 13 Qershor 2024

Share:

Fjala “luftë” e fundit që duhet të përmendet nga krerët e shtetit.

Kështu mendon Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e PDK-së.

Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Serbia s’guxon t’i hyjë një rruge që ia di epilogun.

“Fjala luftë është e fundit që duhet të dalë nga goja e liderëve institucionalë të Kosovës. Ne për luftë duhet të përgatitemi por jo të flasim. Në Kosovë janë trupat e NATO-s. 25 vite më parë Serbia është përballur me forcën e NATO-s dhe trimërinë e UÇK-së. Nuk besoj që do t’i hynë një rruge të cilës ia dinë qysh në start epilogun, mirëpo në shekullin në të cilin jetojmë, luftërat nuk bëhen vetëm në fonte dhe vetëm me ushtri, ka luftë politike, diplomatike, hibride dhe Serbia çdo ditë po e lufton Kosovën në planin ndërkombëtar, me lajme të rreme, përmes aleatëve të saj, pa lufta po vazhdon vetëm në një dimension tjetër”, thotë ajo.

Sipas saj, përballjen me Serbinë e fitojmë duke u koordinuar me ndërkombëtarët.

“Pra përqendrimi duhet të jetë. Përballjen me Serbinë e fitojmë më fuqishëm dhe më shpejtë dhe më lehtë, kur koordinohemi ngushtë me aleatët ndërkombëtarë. Fatkeqësisht kjo qeveri, ky kryeministër ka dështuar që t’i mbajë raportet me aleatët e saj kryesorë. Nuk është turp të koordinohesh me aleatët. SHBA koordinohet vazhdimisht me Gjermaninë, me Korenë, me Mbretërinë e Bashkuar. Në botën dhe shekullin në të cilën jetojmë, ndërveprimi dhe koordinimi mes aleatëve është domosdoshmëri. Aq më tepër nëse synon të jesh pjesë e mekanizmave unilateral, siç është NATO, BE, koordinimi është mënyrë e operimit dhe koncepti e sovranitetit absolut më nuk ekziston”, thotë Vlora Çitaku.

Të ngjashme