Lajme
Vllasi: Serbia nuk heziton të organizojë ndonjë “Panda” të re para anëtarësimit të Kosovës në KiE
Demokracia
23:46 | 18 Prill 2024

Share:

Avokati Azem Vllasi ka thënë se Serbia nuk heziton të organizojë ndonjë provokim para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vllasi ka thënë se duhet të ketë kujdes për sigurinë e minoriteteve, sidomos të serbëve, pasi mund të organizojë ndonjë akt terrorist si rasti “Panda” më 1998.

“Serbia do të tentojë të organizojë ndonjë provokim. Sidomos duhet të ketë kujdes për sigurinë e minoriteteve, posaçërisht serbëve të Kosovës, sepse Beogradi nuk heziton të organizojë edhe ndonjë akt terrorist si vrasje e serbëve të Kosovës siç ishte rasti Panda më 1998, vetëm e vetëm për t’ia hedhur Kosovës një njollë para vendimit definitiv më 16-17 maj për anëtarësim në KiE”, ka thënë Vllasi të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Vllasi ka thënë se Serbia është “çmendur” pas miratimit të raportit për anëtarësimin e Kosovës në KiE para dy ditësh.

“Pushteti serb bukvalisht është çmendur nga kjo që ndodhi para dy ditësh me aprovimin e propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai, duke u shprehur i bindur se në maj do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Lidhur me votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore, Vllasi ka thënë se mund të dështojë për shkak të frikësimit të serbëve në këtë pjesë nga Beogradi, përmes Listës Serbe.

“Mund të dështojë ajo më 21 prill sepse serbët e Kosovës në pjesën veriore i frikësoi Serbia, i shantazhon Lista Serbe, e cila është si mashë e pushtetit të Beogradit në Kosovë dhe vepron ashtu si urdhëron Vuçiqi. Pushtetin e Serbisë dhe veglat e tyre në Kosovë, siç është Lista Serbe, nuk u intereson as integrimi i serbëve në sistemin normal ligjor të Kosovës, e asgjë tjetër, vetëm u intereson shkaktimi i destabilizimit të Kosovës, kjo i bën raportet mes Kosovës dhe Serbisë të rënda”, ka thënë ai.

Të ngjashme