Avokati dhe njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit që është prezantuar ka pika që janë jashtë Kushtetutës së Kosovës.
Vllasi në një prononcim për Front Online ka thënë se Kosova duhet ta bëjë vetë një draft-statut që të mos shkelet Kushtetuta, duke shtuar se Asociacioni duhet të zgjidhet brenda Kosovës, e jo me BE-në e as Serbinë.
“Draft-Statuti i propozuar mund të merret si bazë, por ka dimensione që dalin jashtë Kushtetutës. Më së miri do të ishte që Qeveria të del me propozim të vetin. Kjo është çështje e brendshme e Kosovës bashkë me serbët e Kosovës, e jo punë e përbashkët as me Serbinë as me BE. Asociacion si formë e bashkëpunimit mes komunave me shumicë serbe për disa çështje specifike në interes të tyre po, ndërsa si qeveri e veçantë për Serbët e Kosovës e lidhur me Qeverinë e Serbisë si synon Vuçiqi jo. Nëse nuk pranohet që Asociacioni të jetë përbrenda Kushtetutës së Kosovës, atëherë të hiqet dorë dhe shantazhimet mos të pranohen.” – është shprehur tha ai.
Ndër të tjera, Vllasi ka thënë se Serbia është duke e përdorur Asociacionin si shantazhim dhe jo si nevojë.
“Nuk është me rëndësi kur formohet ai asociacion. Serbët kanë të drejta të plota me Kushtetutë saqë mungesa e Asociacionit nuk i lë keq për asgjë. Asociacioni më shumë shtrohet nga Serbia si shantazhim sesa si nevojë reale e Serbëve të Kosovës.” – ka thënë ai