OpEd
Vladimir Zhirinovsky dhe Vladimir Putin
Demokracia
09:13 | 11 Maj 2022

Share:

Shkruan: Blerim Shala

Para një muaji, saktëisht me 6 prill, vdiq në Moskë Vladimir Zhirinovsky. Vladimir Putin u shfaq publikisht në respekt të këtij politikani që vdiq nga pasojat e Covid-19. Zhirinovsky ka qenë deputet në Parlamentin e Rusisë, ka marrë pjesë në çdo zgjedhje për Presidentin e Rusisë, dhe ka qenë lider i Partisë Liberal-Demokratike të Rusisë (LDPR), që prej vitit 1992, deri në vdekje.

Media perëndimore qëmoti e kanë cilësuar Zhirinovskyn, si ultranacionalist, si fashist, si anti-semit, madje dhe si klaun dhe sharllatan.

Në fundvitin e kaluar, ai i sygjeroi publikisht Putinit që të nisë bombardimet e Ukrainës në natën e vitit të ri. Ndërsa ai paralajmëroi, pak para se të sëmurej, që lufta e Rusisë në Ukrainë do të nisë me 22 shkurt, dhe që kjo luftë do ta bëj sërish Rusinë të madhe, të cilën Perëndimi do të detyrohet ta respektojë. Dihet që ky në parashikimin e tij ia huqi vetëm për dy ditë. Vite më parë Zhirinovsky madje ka avokuar edhe fillimin e luftës së Rusisë kundër Aleancës Veri-Atlantike.

Me pak fjalë, ky do të mund të ishte portreti i shkurtër i Vladimir Zhirinovskyt. Çfarë ka rënë në sy, që në ato prezentimet e para politike të këtij politikani, në vitet e nëntëdhjeta, ka qenë shpërputhja totale në mes të emrit të partisë së tij, si Liberal Demokratike dhe orientimit të tij të mirëfilltë politik.

Nuk ka mundur të ketë, mbase, emër më të mirë për një parti të re në skenën demokratike, në krijim e sipër të Rusisë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe zhbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Perëndimi në atë kohë besonte, si në atë anën politike, ashtu edhe në atë dimensionin mediatik, që Rusia do të bëhet një shtet i demokracisë liberale dhe që do t’i bashkohet Perëndimit me të gjithat.

Por ja që politika e Vladimir Zhirinovskyt dhe e Partisë së tij Liberal-Demokratike, nuk kishte të bënte gjë me Perëndimin, me Liberalizmin, me Demokracinë. Identiteti i tij i mirëfilltë ishte ai i një ekstremisti nacionalist, i një fashisti, që shembjen e Komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik, e shihte si mundësi për ta mëkëmbur një Rusi të fortë si shtet që do të jetë madje më i fuqishëm se ky shteti i kaluar komunist. Vladimir Zhirinovsky në të vërtetë ka qenë përfaqësuesi i parë dhe origjinal i politikës së re ruse, ku deri në vitet e vona të presidencës së Vladimir Putinit, është shprehur dallimi i madh, i pakaparcyeshëm, në mes të Rusisë dhe Perëndimit, teksa prej Perëndimit janë marrë apo huazuar konceptet themelore politike, madje, edhe organizimi i zgjedhjeve (kinse të lira dhe kinse demokratike), të cilat është dashtë të ofrojnë legjitimitetin për pushtetin (kinse) demokratik.

Në vitet e fundit, Presidenti Putin, paraqitjet e tij publike brenda dhe jashtë Rusisë, i ka krejtësisht të ndërlidhura konceptet dhe paraqitjet publike me identitetin e tij të mirëfilltë, të liderit që synon të mëkëmbë Perandorinë ruse.

Sidoqoftë, Putin që nga fillimi i fushatës ushtarake ndaj Ukrainës, si një shtet sovran, ka aplikuar qasjen politike dhe mediatike të Vladimir Zhirinovskyt, ku ajo dukuria reale, është e mbështjellur me koncepte të cilat nuk kanë të bëjnë gjë me të vërtetën. Putin kështu një intervenim brutal ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, e justifikoi me gjenocidin që sipas tij, një regjim nazist në Kijev po e bënte në rajonin e Donbasit. Për më shumë, ai këtë luftë e kualifikoi si ‘Operacion Special’.

Putin shpiku a sajoi gjenocidin dhe regjimin nazist në Ukrainë, njëlloj si Vladimir Zhirinovsky Liberal-Demokracinë në politikën e tij.

Ndërsa identetin e mirëfilltë të luftës, ai e ndryshoi me konceptin e ‘Operacionit Special’. Në parakalimin tradicional ushtarak me rastin e Ditës së Fitores mbi Nazizmin, me 9 maj, Presidenti i Rusisë, pos që edhe një herë tërhoqi paralele historike në mes të Nazizmit të viteve katërdhjetë të shekullit të kaluar dhe kinse këtij të Ukrainës së këtyre viteve, ia shtoi këtyre shpikjeve të tij politike, një fare të re: Sipas saj, pushteti i Kijevit dhe Pakti NATO

kanë dashtë të lansojnë luftën, prandaj, intervenimi rus ka qenë i domosdoshëm. Edhe pse e gjithë kjo luftë, e cila përmbysi një Rend Ndërkombëtarë, është kryekëput përgjegjësi e tij, ai që prej ditës së parë të saj, këtë ‘Operacion Special’ e sheh si faj të Ukrainës, të Perëndimit, të Aleancës Veri-Atlantike.

Rusia është viktimë e Perëndimit dhe Ukrainës. E jo anasjelltas, nuk është Ukraina viktimë e Rusisë së Vladimir Putinit.

Në po të njejtën ditë kur Putin konfirmoi edhe një herë naracionin e tij publik për luftën në Ukrainë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy edhe një herë doli para qytetarëve të tij dhe mbarë Botës me një të vërtetë që nuk mund të kontestohet dot: Ushtria ruse është ushtri që po bën krime të të gjitha llojeve ndaj popullit të Ukrainës.

Kjo është e vërteta e vetme për këtë luftë.

Të ngjashme