Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar një takim me Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim të OKB-së.
Zyra e presidentit përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se të dy palët kanë biseduar rreth zgjedhjeve që u mbajtën më 14 shkurt, përcjell Demokracia.com.
“U.d. Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim znj. Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim të OKB-së. Me këtë rast, znj. Richardson i përcolli urime u.d. Presidentes Osmani për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit si dhe e uroi atë dhe popullin e Republikës së Kosovës për një proces të qetë e demokratik zgjedhor.”, thuhet në komunikatë.
Mes tjerash, bëhet e ditur se gjatë takimit është biseduar edhe rreth pritshmërive të qytetarëve.
“Palët diskutuan për rëndësinë e shndërrimit të pritshmërive të qytetarëve në punë dhe në projekte konkrete. Në këtë drejtim, u diskutua edhe për avancimin e pozitës dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të grave. Njëkohësisht, u theksua nevoja për bashkrëndim të politikave publike dhe projekteve të ndryshme zhvillimore me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e prioritizimit të menaxhimit të suksesshëm të pandemisë si dhe sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës, si dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në këtë drejtim.”, thuhet në komunikatë./Demokracia.com/