Lajme
Vjosa Osmani s’i ndahet Turqisë, për dy javë – dy vizita
Demokracia
17:41 | 11 Mars 2022

Share:

Në mungesë të vizitave në shtete të tjera, Vjosa Osmani po qëndron në Turqi për herë të dytë brenda dy javëve. Presidentja Osmani tash po merr pjesë në Forumin Diplomatik në Antali, ndërsa homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka takuar vetëm në një prej sallave ku po mbahet eventi.

Erdogan në kuadër të këtij forumi ka pritur në takime të ndara liderë të shumë vendeve, duke përfshirë këtu edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përcjell Demokracia.com.

Megjithatë, Presidenca e Turqisë, ndryshe prej asaj që e deklaroi Osmani, nuk ka konfirmuar ndonjë takim të mbajtur mes dy presidentëve. Kjo vërehet lehtë edhe në faqen zyrtare të presidencës turke, ku njoftohet për të gjithë politikanët që i priti në takim Erdogan.

Lideri turk, siç duket nuk do të takohet ndaras me Osmanin, duke marrë parasysh vizitat e shpeshta të kësaj të fundit në Turqi. Një e tillë ndodhi jo më larg se dy javë më parë.

Nuk dihet arsyeja e vizitave të vazhdueshme të presidentes në Turqi, megjithatë nga qytetarët ajo është kritikuar për mungesë të takimeve me liderë perëndimorë të shteteve të fuqishme, përcjell Demokracia.com.

Mungesa e takimeve është vërejtur edhe gjatë pjesëmarrjes së Osmanit në Konferencën e Sigurisë në Munih, ku së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Donika Gërvalla zhvilluan një numër të vogël të takimeve jo aq të rëndësishme me politikanë të vendeve të tjera.

Të njëjtit, përpos kryeministrit grek, nuk kanë zhvilluar asnjë takim me rëndësi për shtetin e Kosovës, gjë që po ashtu u kritikua duke u cilësuar si përfaqësim i dobët i vendit në multilaterale të tilla.

Ndërkohë, Forumi Diplomatik i Antalisë do të zhvillojë punimet nga 11 deri më 13 mars dhe pjesëmarrëse janë rreth 70 shtete të ndryshme të botës.

Në këtë forum marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë, opinionbërës, akademikë dhe tema e këtij viti në Forumin e Diplomacisë së Antalisë është “Rikodimi i diplomacisë”./Demokracia.com/

Të ngjashme