Lajme
Vjosa Osmani nderon Ibrahim Rugovën, partinë e të cilit e tradhtoi për Kurtin
Demokracia
14:10 | 24 Maj 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit ka nderuar ish-presidentin Ibrahim Rugova te shtatorja e tij në sheshin e kryeqytetit.

Osmani e nderoi sot njeriun, partinë e të cilit e tradhtoi për t’u bashkuar në koalicion me Albin Kurtin, i cili njihej si zhvlerësues i veprës së Ibrahim Rugovës.

Në një njoftim për media nga zyra e presidencës, Osmani citohet të ketë thënë se pavarësia ishte ideali jetësor i presidentit Rugova.

“Pavarësia ishte ideali i tij jetësor, të cilin e përjeton ky brez dhe të tjerë pas tij”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, në komunikatën e Vetëvendosjes, “Gjaku i humbur”, deri sa denoncohej Hashim Thaçi që i kishte shkuar në varrim e ishte bërë si ai, partia e Kurtit nuk kishte lënë gjë të zezë pa thënë për Rugovën.

“Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist, sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në.”, thuhej ndër tjerash.

Albin Kurti nisi të fliste mirë për Rugovën, pasi mori votat për ta formuar qeverinë në fund të 2019-tës, të cilën e bëri në koalicion me LDK-në.

Për herë të parë, Kurti ka bërë homazhe te varri iIbrahim Rugovës në vitin 2020, pasi u bë kryeministër. /Demokracia.com/

Të ngjashme