Lajme
Vjosa Osmani më e votuara në historinë e Kosovës
Demokracia
12:36 | 04 Mars 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve me 45.95 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti, ku ka arritur që të marrë 438 mijë e 334 mijë vota apo  49.95 për qind, raporton Demokracia.com.

Në bazë të rezultateve zyrtare të KQZ-së, drejtuesja e iniciativës ‘Guxo’ dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, ka siguruar 300 mijë e 788 vota, kështu duke u bërë personi më i votuar në historinë e Kosovës.

Në anën tjetër, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2019, ku Vjosa Osmani ishte bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e që kishte arritur që të sigurojë 176 mijë e 188 vota, i bie që në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, ajo gati ka dyfishuar votat.

Por i gjithë ky rezultat që Osmani ka arritur pas largimit nga LDK-ja, por edhe bazuar në zgjedhjet e viteve të kaluara, ajo është personi më i votuar në historinë e Kosovës, kështu duke lënë prapa Ibrahim Rugovën e Hashim Thaçin, të cilët kishin qenë më të votuarit ndër vite.

Në kohën kur zgjedhjet organizoheshin me lista të mbyllura e ku votat që merrte partia i shkonin drejtpërdrejtë liderit të partisë, rekordin e njeriut më të votuar në Kosovë e mbante ish-presidenti historik dhe themeluesi i LDK-së, Ibrahim Rugova.

Në zgjedhjet e vitit 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që të mbledhë 359 mijë e 851 vota, apo 45.65%, e ku pati 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Asokohe Ibrahim Rugova pati lënë prapa Hashim Thaçin dhe PDK-në që morën 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn me AAK-në që mori rreth 62 mijë vota.

Vjosa Osmani arriti të mbledhë mbi 300 mijë vota, pavarësisht se nga Isa Mustafa e shumë të tjerë u tha se Osmani nuk do të arrijë të mbledhë aspak vota dhe se largimi i saj nga LDK do të jetë disfatë për të. /Demokracia.com/

Të ngjashme