Lajme
Vjosa Osmani lejon që Kushtetuta të shkelet para syve të saj
Demokracia
15:17 | 07 Shtator 2022

Share:

Presidenti i Kosovës është gardian i Kushtetutës së Republikës.

Por, presidentja Vjosa Osmani, të martën gjatë një vizite në Komunën e Mamushës ka lejuar që para syve të saj, me dy “këmbët” të shkelet akti më i lartë juridik.

Gjatë vizitës në Mamushë, në takimin që ka pasur me kryetarin e kësaj komune Adbdülhadi Krasniç është vendosur edhe flamuri i shtetit turk.

Presidentja duket se nuk e njeh fare Kushtetutën, e cila thotë se Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës përdoret në rastet e takimeve ceremoniale të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore me përfaqësues të shteteve të huaja: në mënyrë të lirë në tryezat e zyrtarëve dhe nga personat juridikë; b) në ndërtesat dhe automjetet e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës, në shtetet e tjera; dhe c) në të gjitha rastet kur përfaqësohet Republika e Kosovës.

Po ashtu, Kushtetuta qartë e thotë se vendosja në zyrat publike e një ose më shumë flamujve të huaj krahas flamurit shtetëror të Republikës së Kosovës bëhet vetëm në rastet e ceremonive zyrtare ose takimeve dy ose më shumëpalëshe me delegacione të huaja të nivelit të lartë dhe në raste kur nënshkruhen marrëveshje zyrtare.

Për këtë shkelje, Osmani është kritikuar ashpër edhe nga opinionisti Halil Matoshi.

“A jeni more normalë? Gardianja e Kushtetutës, Vjosa Osmani – me dyja këmbët mbi të! Me e shpalosë flamurin e nji shteti të huej zyrtarisht, në nji komunë kosovare e me nji Krasniq (?) dhe në prani të Presidentes së Kosovës, asht shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për simbolet.”, ka shkruar ai.

Matoshi është shprehur se kjo shkelje është e dyanshme, nga Osmani dhe kryetari i Mamushës.

“Shkelje e dyanshme: Nga kryetari i komunës së Mamushës dhe nga Presidentja e vendit, e cila duket ashiqare që nuk e ka lexu Ligjin kosovar për simbolet!? Në nji komunë kosovare, sipas Ligjit duhet të ekspozohet vetëm flamuri i Kosovës dhe stema e komunës, kurse flamuri i nji shteti tjetër (entiteti organizate multinaciinale si BE, NATO. Komiteti Olimpik) shpaloset gjatë vizitave të shtetarëve (ambasadorëve) të shtetit tjetër ose përfaqësuesëve të entitetit të caktuem, por jo kurrë në pritje të shefit të shtetit ku përket!.”, ka shkruar Matoshi.

Sipas tij, ky është një skandal protokollar që e vë ne pozitë të keqe vetë Osmanin, por edhe shtetin e Kosovës.

“Mosrespektuese të Ligjit dhe jobesnike ndaj Republikës! Me e ngrit paralelen me komunat në veri të Kosovës (me struktura ende të pashueme paralele) asht dyfish skandal, sepse e pranon pafuqinë dhe joseriozitetin e shtetit edhe në Mamushë!? Me e krahasu me ndonji folklorist komunal që e ekspozon flamurin e shtetit shqiptar, në ndonjë komunë kosovare, asht naivitet dhe shpërfaqë jojolalitet ndaj shtetit të cilit i je betu dhe nga taksat e shtetasve të te cilit paguhesh! Presidentja talli sot ligjet e Kosovës!”, ka shkruar Matoshi. /Demokracia.com/

Të ngjashme