Lajme
Vjosa Osmani i harron bashkëqytetarët e masakruar nga Ivanoviq, të cilin Kurti e heroizoi
Demokracia
16:09 | 03 Shkurt 2023

Share:

Sot janë bërë 23 vjet nga masakra që ndodhi natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, me ç’rast ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq dhe plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Por, presidentja Vjosa Osmani, e cila vjen nga po ky qytet, për dallim nga viti i kaluar nuk e tha sot asnjë fjalë në përkujtim të kësaj masakre, shkruan Demokracia.com.

“Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë. Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë e bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë. 25 të plagosur nga ajo natë edhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës. Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përjetshëm.” kishte shkruar Osmani në vitin 2022.

Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP i Serbisë, në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë, ndërsa Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ndoshta Osmani qëllimisht e ka harruar përkujtimin e masakrës ndaj bashkëqytetarëve të saj, pas skandalit që bëri kryeministri Albin Kurti, i cili në pesëvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit e kujtoi atë si “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Për Oliver Ivanoviqin, Kurti tha se do të dëshironte që kujtimi të mbetet i gjallë, si “një njëri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”.

Ndryshe, në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të viti 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi. / Demokracia.com/

Të ngjashme