Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, rrallëherë zgjedh të deklarohet për problemet me të cilat përballen çdo ditë qytetarët e Kosovës, si shtrenjtimi i rrymës, naftës, produkteve ushqimore, punësimet politike në institucione të shtetit dhe çështje të tjera. Megjithatë, ajo nuk heziton aspak t’i japë këshilla SHBA-së dhe NATO-s lidhur me situatën në Ukrainë.
Në një intervistë për Abc730, Osmani është pyetur pse NATO-ja nuk po ndërhynë në Ukrainë, ashtu siç kishte bërë gjatë luftës në Kosovë.
“Ata nuk po e bëjnë të njëjtën si në Kosovë, kuptohet, sepse nuk janë duke u përballur me të njëjtin agresor. Po përballen me Rusinë, aktualisht një prej fuqive më të madhe nukleare në botë, që nënkupton se rreziku është shumë më i lartë sesa që ishte në ish-Jugosllavi”, ka thënë Osmani, transmeton Demokracia.com.
Ajo është pyetur edhe për sanksionet e reja që duhet t’i vendosen Rusisë, e cila po tenton ta pushtojë Ukrainën. Këtu, Osmani ka këshilluar që të sanksionohen edhe shtetet aleate të Putinit.
Megjithatë, Osmani ka thënë se Ukraina duhet të ndihmohet edhe me armë, sidomos me avionë luftarakë, transmeton Demokracia.com.
“Ukraina duhet të ndihmohet më shumë me armë, sidomos me avionët luftarakë, pasi atyre iu duhet të mbrojnë popullin e tyre që janë viktima”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, vlen të përmendet se edhe Kosova i ka vendosur sanksione Rusisë, derisa është shprehur e gatshme për pranimin e 5 mijë refugjatëve ukrainas.
Kosova pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë ka kërkuar që të anëtarësohet në NATO, duke thënë se ky është momenti më i përshtatshëm.
Megjithatë, zyrtarë të kësaj aleance kanë deklaruar se nuk mund të ketë anëtarësim të përshpejtuar, pasi që procedurat e pranimit mbesin ende të njëjta./Demokracia.com/