Lajme
Vjosa Osmani bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova
Demokracia
10:18 | 21 Janar 2021

Share:

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së tij.

Osmani në një postim në faqen e saj zyrtare në faceebok ka thënë se Rugova na mësoi se çfarë është liria dhe se duhet ngulur këmbë për të.

”Sot, në 15-vjetorin e ndarjes nga ne, e rikujtojmë presidentin Rugova, njeriun i cili na mësoi se çfarë është liria, se si duhet kërkuar ajo e si duhet ngulur këmbë për të, deri në arritjen e plotë të saj. Ai na mësoi se synimet politike e shtetërore thjesht janë të mundura, nëse ekziston këmbëngulja për to. Duke na mësuar se si ta duam lirinë, ai na e dha shembullin se si ta refuzojmë të keqen, ideologjinë, dhe ta krijojmë solidaritetin e papërsëritshëm ndërmjet nesh. Me të ne u çliruam përfundimisht nga frika dhe u mbështetëm në besimin e përbashkët duke u bashkuar rreth kauzës së lirisë e pavarësisë”.

Osmani vazhdon duke thënë se Rugova mbetet themeltari i Kosovës, duke i hapur rrugën vendit të shkëputej nga ideologjia komuniste dhe regjimi shtypës i Millosheviçit.

”Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviçit.

I përjetshëm kujtimi për të.”/Demokracia.com

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/1913797605449161

Të ngjashme