Lajme
Vizita në Tetovë: Qeveria Kurti i reagon Vuçiqit rreth Shqipërisë së Madhe, ia përmend Botën serbe
Demokracia
23:00 | 14 Gusht 2023

Share:

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoni të Veriut janë që shkoi, ka ngjallur shumë reagime. Përveç krerëve të shtetit maqedon, politikanëve në Kosovë, atë e komentoi edhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, duke e akuzuar Kurtin se e promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë. Në lidhje me këtë prentendim të Vuçiqit, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, Vuçiq është nisur nga vetja e tij kur e ka akuzuar Kurtin se e promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Madje, Qeveria e Kosovës theksoi se Vuçiq po insiston për Sebinë e Madhe, që tash po njihet me termin Bota serbe.

“Vizita e Kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të rrugës që lidhë fshatin Vicë me fshatin Sellcë. Në mes të muajit qershor, po ashtu me ftesë kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Prespës, në Strugë, në kuadër të së cilit ai kishte zhvilluar takime edhe me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkaq që sa i përket nivelit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ne kujtomë që dy qeveritë për të herë të parë kishin mbajtur një mbledhje të përbashkët në shtator të vitit 2021, si rezultat i marrëdhënieve të mira dhe interesave të përbashkëta. Komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt. Siç duket Vuçiq është nisur nga vetja e tij, insistimi në Serbi të Madhe edhe pas katër luftërave të humbura me emrin Bota serbe, dhe na akuzon neve kot”, – i tha Kryeziu RTV Dukagjinit.

Por çka pretendoi Vuçiq?

Dje, pra të dielën e 13 gushtit, Vuçiq foli rreth vizitës së Kurtit në Tetovë, të cilën e cilësoi si skandal, pasi, sipas presidentit serb, u promovua ideja e Shqipërisë së Madhe.

“Ajo që ndodhi dje në Maqedoninë e Veriut, pra vizita e Kurtit në Tetovë, është skandal skandalesh. Aty u promovua ideja e “Shqipërisë së Madhe”, u shfaqën simbolet e Shqipërisë së Madhe.” – deklaroi Vuçiq për TV Pink.

Përveç kësaj, Vuçiq u mor edhe me figurën e veprimtarit të shquar kosovar, Adem Demaçi, pasi Kurti e përuroi një rrugë në emër të tij në Çair.

“Demaçi është një njeri që kaloi 28 vjet në burg, në kohën e Titos që ishte liberal për atë kohë, si ideologu dhe separatisti më i keq dhe më i madh i ‘Shqipërisë së madhe’. Demaçi ishte mentor dhe idhull i Kurtit.” – ka thënë Vuçiq.

Ndryshe dje Zyra e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dënuar shfaqjen e flamurit me mbishkrimin “Autoctonus”, që u shfaq në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së kryeministrit Kurti. Sipas zyrës së Kovaçevskit, një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.

“Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SVR Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.” – thuhej në reagimin e Zyrës së Kovaçevskit.

Të ngjashme