Lajme
Vizita në SHBA| Haradinaj në cilësinë e opozitarit e takon Escobarin para kryeministrit Kurti
Demokracia
19:21 | 11 Maj 2022

Share:

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është pritur sot në Departamentin e Shtetit nga emisari amerikan, Gabriel Escobar.

Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Në Departamentin e Shtetit u prita sot në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë”, ka bërë të ditur Haradinaj.

Ai ka thënë se me emisarin amerikan kanë biseduar për politikën e jashtme të Kosovës, veçmas për sigurinë.

“Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Theksova se kjo gjë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën”, ka përfunduar Haradinaj.

Të kujtojmë se në SHBA që 5 ditë ndodhet edhe kryeministri Albin Kurti, mirëpo ai deri më tash nuk e ka takuar asnjë zyrtar të lartë amerikanë. /Demokracia.com/

Të ngjashme