Lajme
Vizita e Xi Jinping, Escobar: I shërben rritjes së tensioneve mes Serbisë dhe Perëndimit
Demokracia
17:20 | 08 Maj 2024

Share:

I deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, në një konferencë për media tha se vizita dyditore e presidentit të Kinës, Xi Jinping në Serbi po ndodhë në kohën e “duhur për të rritur tensionet në mes të Serbisë dhe pjesës tjetër të komunitetit perëndimor”.

“Besoj se koha e vizitës është zgjedhur me qëllim”, tha Escobar, meqë në vlerësimin e tij vizita e presidentit kinez përkon me përvjetorin e bombardimit të NATO-s ndaj ambasadës kineze në Beograd.

“Shtetet e Bashkuara njoftuan se bombardimi i ambasadës kineze në vitin 1999 ishte aksidental. Ne kërkuam falje. Besoj se kemi paguar edhe dëmshpërblime për familjet”, ka shtuar ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa priti presidentin kinez, Xi Jinping, të mërkurën në Beograd, shprehu mbështetje të fortë ndaj pretendimeve të Kinës mbi Tajvanin gjatë një fjalimi të mbajtur para turmës së mbledhur jashtë Pallatit të Serbisë për nder të presidentit kinez.

“Ne kemi një qëndrim të qartë dhe të thjeshtë mbi integritetin territorial kinez. Po, Tajvani është Kinë”, deklaroi presidenti serb, duke tërhequr paralele ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit, ndonëse Serbia pretendon ta ketë synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Presidenti i Kinës mbërriti në Serbi mbrëmjen e 7 majit për një vizitë dyditore, në përpjekje për ta përforcuar “miqësinë e çeliktë” ndërmjet dy vendeve. Vizita e presidentit kinez vjen në 25-vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s në Serbi, gjatë të cilave u godit edhe ambasada kineze.

Të ngjashme