Lajme
Vizita e Lajçakut në Kosovë, mesazh i qartë për vazhdimin e dialogut
Demokracia
17:36 | 01 Mars 2021
Mirosllav Lajçak gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.

Share:

I dërguari i posaçëm i BE- për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak sot do arrijë Prishtinë për një vizitë triditore.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak sot pritet të arrijë në Prishtinë për një vizitë treditore.

Lajçak në Kosovë pritet të takohet me krerët politik, ku temë kryesore do të jetë dialogu me Serbinë.

Njohësit e çështjeve politike në vend dhe të politikës ndërkombëtare thonë se kjo vizitë e Lajçakut është mesazh i qartë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe informues në lidhje me procesin e dialogut e që sipas tyre, Lajçak do të dëgjojë edhe nga krerët e politikës kosovare versionin e tyre në lidhje me ecurinë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi.

Vizita e Lajçakut nuk e përcakton datën e vazhdimit të dialogut

Jeta Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD) ka thënë për Demokracia.com, se Lajçak ka vendosur që të vijë në Kosovë pas zgjedhjeve dhe në këtë mënyrë të dëgjojë edhe nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, konkretisht Albin Kurti, se cilat janë planet e tij në lidhje me dialogun me Serbinë, marrë parasysh që Kurti ka deklaruar që dialogu nuk është në top-prioritetet e tija.

“Jemi duke parë që Lajçak ka vendosur të vijë në Kosovë menjëherë pas rezultatit preliminar të zgjedhjeve. Kjo duket sikur ai do të dëgjojë nga faktori politik i brendshëm i Kosovës, e veçanërisht nga Kurti, se cilat janë planet e tij rreth procesit të dialogut”, tha Krasniqi për Demokracia.com.

Tutje sipas Krasniqit, Lajçaku gjatë takimit të tij me Kurtin, këtë të fundit do ta informojë në lidhje me pritshmëritë e BE-së për dialogun dhe se ku ka mbetur procesi, duke e ditur se Kurti nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut.

“Duket se në të njëjtën kohë do të shfrytëzojë këto takime për ta informuar Kurtin mbi atë se çfarë pret Bashkimi Europian dhe ku është procesi, pasi e dimë që Kurti nuk ka qenë në dialog gjatë kohës kur i njëjti u udhëhoq nga kryeministri Hoti”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se kjo mund të jetë një mundësi e mirë që Lajçak të këmbejë informacione me Kurtin rreth procesit të dialogut.

“Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për Lajçakun që të këmbejë informacione rreth procesit edhe me Kurtin”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se dialogu nga qeveria e re nuk do të mund të vazhdohet nga aty ku ka mbetur nga e kaluara. Sipas saj, qeveria e re gjithashtu duhet ta ketë pozicionin e saj të qartë karshi dialogut.

“Mbetet të shihet se si do të ecin këto takime, se si do të procedohet më tej edhe në procesin e dialogut. Duhet të kuptohet që qeveria e ardhshme, e cila do të synojë të vendosë apo të ndikojë në proces të dialogut, në formatin që ajo e konsideron që është versioni që duhet të procedohet më tutje me dialogun, e që nuk mund të pritet që menjëherë të vazhdohet aty ku është lënë procesi gjatë viteve të kaluara, apo në dhjetor të vitit të kaluar. Duhet pak kohë derisa të kemi qartësinë nga “Qeveria Kurti” se cili do të jetë pozicioni i tyre, por edhe të ketë një përgatitje primare në fillim dhe më pas të vazhdohet me këtë proces”, shtoi ajo.

Pavarësisht vizitës së Lajçakut dhe takimeve të tija me krerët politik, Krasniqi thotë se kjo vizitë nuk mund të jetë përcaktuese e një date për vazhdimin e dialogut, pra për takimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Shihet si një takim i parë, meqenëse ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve, ende nuk kemi një qeveri, është takim primar, ku palët njoftojnë në përgjithësi pritshmëritë ndaj njëri-tjetrit, por që nuk besoj që do të ketë diçka në drejtimin e asaj që përcaktohet apo një datë se kur do të mund të vazhdohet me dialogun”, theksoi Krasniqi.

Europianët e kanë humbur kredibilitetin 

Në anën tjetër, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, në një prononcim për Demokracia.com tha se vizita është mesazh i qartë se dialogu duhet të vazhdojë, duke marrë parasysh edhe ndërrimin e administratës amerikane dhe qeverisë kosovare.

“Nuk ka se si shihet ndryshe përpos si një mesazh shumë i qartë që dialogu duhet të vazhdojë, pas ndryshimeve të administratës së re amerikane dhe Qeverisë së Kosovës”, tha Hoti.

Sipas Hotit, humbja e kredibilitetit të ndërkombëtarëve i jep të drejtë Kurtit, në rastet kur ai po tregohet skeptik lidhur me dialogun. Po ashtu Hoti bëri me dije se nëse një ftesë e tillë do të vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhej të merrej seriozisht.

“Europianët mendoj se kanë humbur kredibilitetin dhe në këtë pikë nuk e ka krejtësisht pa të drejtë kryeministri i ardhshëm Kurti, kur është skeptik. Por nëse bëhet fjalë për një ftesë serioze nga ana e SHBA-së, atëherë mendoj se duhet të reflektohet dhe e njëjta duhet të merret shumë seriozisht në konsideratë”, përfundoi Hoti.

Vizita e Lajçakut, përpjekje për rifillimin e dialogut pas gafës së tij me hartën dhe pas zhvillimeve politike në Kosovë

Drejtoresha ekzekutive e Platformës CiviKos, Donika Emini, ka thënë për Demokracia.com se Albin Kurti duhet ta bind Mirosllav Lajçakun që t’i japë kohë për krjimin e platformës për dialogun në mënyrë që të arrijë të bashkëpunojë edhe me opozitën për krijimin e një konsensusi shoqëror në raport me dialogun.

Sipas Eminit, dialogu duhet të bazohet në vlera dhe principe.

“Dialogu është një proces, në të cilin gjendet Kosova e që, pavarësisht ndikimeve të qeverisë, ka vazhduar prej vitit 2011 kur edhe ka filluar. Se si e çka mund Kurti ta bind Lajçakun është për pak më shumë kohë, në mënyrë që të krijohet platforma për dialog brenda me opozitën edhe më gjerë, një konsensus shoqëror, në raport me dialogun dhe të fillohet një dialog që bazohet në principe dhe vlera”, tha Emini.

Moskonsiderimin e dialogut si prioritet, Emini e ka konsideruar si pozicionim por jo qëndrim që mund të mbahet gjatë.

“Moskonsiderimi i këtij procesi si prioritet, për rritje të fuqisë negociuese, mund të jetë gjë e mirë, mirëpo nuk është reale. Për këtë ka presion jo vetëm nga BE-ja por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pritet të jenë në një linjë me BE-në në raport me Kosovën”, pohoi Emini.

Vizita e Lajçakut po konsiderohet si përpjekje për rifillim të dialogut. Po ashtu kjo vizitë sipas Eminit vjen edhe si përgjigje ndaj situatës dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

“Vizita e Lajçakut është edhe një përpjekje e tij që ta rifillojë dialogun, pas dështimit me Hotin, dhe vjen edhe si përgjigje ndaj situatës dhe zhvillimeve në politikë në Kosovë, por edhe situatës së tij (Lajçakut) me hartat, gafë të cilën e ka bërë së fundmi, e që nuk është pritur mirë në Kosovë”, përfundoi Emini.

Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë nga 1 deri më 3 mars.

Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.

Theksojmë se takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut. /Demokracia.com/

Të ngjashme