Lajme
Vitia tregon pse nuk u vaksinuan mësimdhënësit kosovarë në Shqipëri
Demokracia
16:50 | 05 Prill 2021

Share:

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka treguar se ka dështuar vaksinimi i mësimdhënësve kosovarë në Shqipëri, pasi që sipas tij nuk kishte më sasi të vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer.

Kështu tha Vitia në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë për vendosjen e masave të reja për shkak të pandemisë COVID-19, raporton Demokracia.com.

“Fatkeqësisht në ndërkohë, numri i vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Ogerta Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me Sinovax, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA [Rregullatori Evropian i Barnave], ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Vitia.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës është mbledhur  në ora 15:00 për të marr vendim lidhur me vendosjen e masave të reja për shkak të pandemisë COVID-19 dhe sipas kryeministrit Kurti vendimi për masat e reja është përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe i njëjti është votuar në mënyrë unanime nga ministrat.

Kujtojmë se ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar që Shqipëria t’i vaksinojë mësuesit nga Kosova./Demorkacia.com/

Të ngjashme