Lajme
“Vitia sërish zgjodhi rrugën e heshtjes”, kërkesat e sektorit privat as pas 6 muajsh s’u realizuan nga ministri
Demokracia
17:02 | 12 Shtator 2023

Share:

Më 21 shkurt, kur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ishte takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia ishte kërkuar rritje e pagës për punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit që punojnë në institucionet shëndetësore.

Vitia, në këtë takim ia kishte konfirmuar Azemit se do të angazhohen për përmirësimin e këtyre kushteve në mënyrë që punonjësit teknikë dhe ata të sigurimit që punojnë në institucione shëndetësorë të mos largohen.

Por, edhe pas gjashtë muajve ky premtim i Vitisë nuk është realizuar dhe Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës, është detyruar që ta kërkoj sërish realizimin e kësaj kërkesë nga Vitia dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Ministrit Vitia dhe drejtorit të SHSKUK pas 6 muajsh ua përkujtuam prapë kërkesat  e punëtorëve teknik dhe atyre fizik që punojnë në spitalet e Kosovës, të cilat kërkesa premtoi se shumicën prej tyre do ti realizoj në takimin e mbajtur me 21 .02.2023”.

“Ministri edhe sot e kësaj dite zgjodhi rrugën e heshtjes”, ka shkruar Azemi në rrjetin social ‘Facebook’.

Kërkesat e Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, drejtuar sërish ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Më 21 shkurt, Azemi në një bisedë për Albanian Post pohoi se kompani të ndryshme kanë propozuar oferta për punëtorët e njëjtë që punojnë në këto institucione për të kryer punën e ngjashme, por me paga më të larta.

“Do të bisedojmë për punëtorët që punojnë në spitale, kryesisht punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik. Do t’i rekomandojmë ofertë për rritjen e pagave sepse kemi një ofertë nga kompanitë e tjera me paga më të larta rreth 400-450 euro për të njëjtën punë, ndërsa në spitalet e QKUK-së punëtorët paguhen në pagë prej 270 euro”, thotë Azemi për AP.

Ai tutje kishte paralajmëruar se në rast se nuk do të ketë ngritje të pagave, atëherë punëtorët do të largohen.

Pas publikimit të vlerës së koeficientit për ligjin e pagave nga Qeveria e Kosovës, sektori privat më 1 shkurt kishte dalur me kërkesë që punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që janë të punësuar nga ky sektor të paguhen duke u bazuar në koeficientin që është caktuar nga ekzekutivi.

Kërkesa ishte bërë nga kryetari i Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, përmes një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Të ngjashme