Lajme
Viti 2022, ndër më të dobëtit në realizimin e investimeve kapitale nga ministritë
Demokracia
22:30 | 16 Gusht 2023

Share:

Që nga marrja e pushtetit, një nga akuzat më të mëdha ndaj të qeverisë Kurti ka qenë mungesa e investimeve kapitale. Qeveria e Kurtit është akuzuar vazhdimisht nga opozita se mban qindra milionë euro në llogari bankare të cilat nuk i përdor për investime. Madje, sidomos gjatë vitit 2022, opozita “nuk la derë pa ia zënë” ekzekutivit duke i kërkuar llogaridhënie për mungesën e investimeve kapitale.

Në një postim së fundi në Facebook, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati,shkroi më mburrje për një rritje të shënuar në investimet kapitale gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023. Sipas tij, tremujori i dytë ka shënuar një dinamikë rekord me një vlerë prej 110 milionë eurosh, duke e bërë atë nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani.

Ministri disi është kujdesur të lavdërohet vetëm me shifrat e tremujorit të dytë, duke e krahasuar me vitet e tjera, duke përfshirë edhe dështimet e 2022-shit dhe 2021-shit, vite në të cilat qeveria Kurti ishte në pushtet.

Bazuar në të dhënat e përpunuara nga raporti “Projektet kapitale të Ministrive” i institutit GAPniveli i realizimit të projekteve kapitale në vitin 2022, krahasuar me vitin paraprak (2021) nga ministritë ka qenë i ulët.

Realizim i dobët

Në të dhënat e përpunuara nga raporti i Institutit GAP “Projektet kapitale të Ministrive”, shihet se shpenzimi buxheti i vitit 2022 për projektet kapitale ishte një “sfidë” për shumicën e ministrive.

Ministria e Financave, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e buxhetit të përgjithshëm të qeverisë, kishte në dispozicion rreth 60.3 milionë euro për projekte kapitale. Megjithatë, shpenzimi i këtij buxheti ishte vetëm 2 për qind e totalit të parashikuar.

“Në buxhetin e vitit 2022, për projektet kapitale MFPT kishte në menaxhim rreth 60.3 milionë euro, kurse shpenzoi rreth 1.4 milionë euro, apo 2% të buxhetit për projekte kapitale. Kjo veçmas për shkak të buxhetit të madh të alokuar në kategorinë e kontigjencave nga kjo ministri, të cilat nuk janë shpenzuar”, – theksohet në raport

Nivel tejet të ulët realizimit të projekteve kapitale kishte edhe Ministria e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Në buxhetin e vitit 2022, MINT kishte 3.6 milionë euro për projekte kapitale, por vetëm 16 për qind e këtij shifre u shpenzua për projektet kapitale.

“Ministria e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte në menaxhim rreth 3.6 milionë euro për projekte kapitale nga të cilat i shpenzoi 584.5 mijë euro apo 16%, ndërsa gjatë vitit 2021 niveli i shpenzimit të projekteve kapitaleve në këtë ministri ishte 27%”, – thuhet në raport.

Ministria e Ekonomisë po ashtu kishte një rënie në nivelin e realizimit të projekteve kapitale. Në vitin 2022, kjo ministri kishte në menaxhim 10.7 milionë euro për projekte kapitale, por vetëm 38 për qind e këtij buxheti u shpenzua.

“Ministria e Ekonomisë gjatë vitit 2022 kishte në menaxhim 10.7 milionë euro, nga to i shpenozi 4.1 milionë euro, ose 38%, kurse në vitin 2021 shpenzimi i i buxhetit për projekte kapitale nga ME ishte më i lartë (53%)”, thekohet në raportin e GAP.

Ministria për Komunitete dhe Kthim ishte më e suksesshmja në realizimin e projekteve kapitale duke shpenzuar plotë 98 për qind të buxhetit të përcaktuar.

Pas saj renditen Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Drejtësisë me 96 dhe 94 për qind të realizimit të projekteve kapitale.

“Tri ministritë me nivel më të lartë të realizimit të buxhetit për projekte kapitale gjatë vitit 2022 janë Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) e cila shpenzoi 98% të buxhetit për projekte kapitale, Ministria e Mbrojtjes shpenzoi 96% të buxhetit për projekte kapitale, dhe Ministria e Drejtësisë shpenzoi 84% të buxhetit për projekte kapitale”, – thuhet në të dhënat e përpunuara nga raporti i institutit GAP.

  1. Shpenzimet e ministrive nga buxheti i projekteve kapitale për vitet 2021 dhe 2022 | GAP

Ankesat e shumta në OSHP – pengesë e realizimit të projekteve

Sipas raportit të GAP, ankesat e operatorëve ekonomikë në OSHP mbeten një nga arsyet kryesore për pengesën më të madhe në procesin e realizimit të projekteve kapitale.

Mungesa e Bordit të OSHP-së dhe faktorët e inflacionit kanë ndikuar në mos-shqyrtimin e ankesave në mënyrë efikase, duke krijuar vonesa të mëdha në procesin e prokurimit dhe zbatimit të projekteve.

Në vitin 2022, numri i ankesave nga operatorët ekonomikë ndaj ministrive ka arritur në një shifër të konsiderueshme prej 192.

Të ngjashme