Kryeministri Albin Kurti darkoi mbrëmë në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit tha se VV s’ka qenë kundër dialogut as në të kaluarën.
Si opozitar, Kurti kishte kritikuar ish-shefat e qeverive të kaluara për takimet e krerët e Serbisë.
Në një fjalim të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha:
“Ne si Kuvend i Kosovës duhet t’i formulojmë kërkesat për Serbinë dhe zyrtarisht të ja dërgojmë Serbisë. Këto gjëra na i ke borxh e mandej bëjmë dialog”.
“Nuk bën dialog pa i formuluar kërkesat për Serbinë. Ajo neve na ka borxh. Borxhlisë duhet të ja kërkojmë borxhin dhe këtë gjë duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës”, u drejtohej Kurti deputetëve .
Kurti, tani kryeministër tha se në darkën joformale me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Berlin, nuk ka pasur gjella të ndryshme, duke aluduar që Kosova ka qenë e barabartë me Serbinë.
“Në atë darkë, nuk kemi pasur gjella të ndryshme, pra ka qenë barazia e palëve dhe i kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit, midis kryenegaciatorëve”, është shprehur ai.
Ai u pyet edhe nëse mendon se ka thyer parimet e tij të mëparshme politike.
“Pra, pavarësisht se a ka darkë apo jo dhe pavarësisht se çfarë darke është unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj por në të njëjtën kohë edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar”, tha i pari i qeverisë.