Lajme
Viskoviç: Non-paper-i franko-gjerman do ta thellojë edhe më tej krizën në Bosnje
Demokracia
19:41 | 24 Maj 2025

Share:

Ai theksoi se Republika Srpska “kundërshton vendosmërisht përpjekjet për ndryshimin dhe zhvlerësimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Kryeministri i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë –  Radovan Viskoviç, ka potencuar se “non-paper”- i i përgatitur nga Franca e Gjermania do ta thellojë edhe më tej krizën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në asnjë mënyrë nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e saj.

“Politika e sanksioneve dhe presioneve shtesë ndaj RS dhe funksionarëve të saj të zgjedhur në mënyrë demokratike tregon një moskuptim thelbësor të proceseve politike që zhvillohen në BeH, si dhe mbylljen e syve përballë faktit që, në 30-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, po përpiqen të ndëshkohen ata që angazhohen për respektimin konsekuent të saj”, tha Viskoviç.

Ai theksoi se Republika Srpska “kundërshton vendosmërisht përpjekjet për ndryshimin dhe zhvlerësimin e Marrëveshjes së Dejtonit, që pasqyrohen në përpjekjet e vazhdueshme për centralizimin dhe unitarizimin e BeH nga qarqe politike në Sarajevë dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”.

“E vetmja rrugëdalje e mundshme nga kriza politike aktuale janë bisedimet e hapura dhe konstruktive të përfaqësuesve legjitimë të pushtetit, të cilave duhet t’u qasemi sa më parë dhe pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar”, vlerësoi Viskoviç.

Bashkimi Evropian duhet të pezullojë projektet financiare për Republikën Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj individëve në këtë entitet, të cilët minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit.

Kështu thuhet, ndër të tjera në një “non-paper”, të përpiluar nga Franca dhe Gjermania, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Në dokumentin e datës 12 maj 2025, që ka pak më shumë se dy faqe, thuhet se kriza aktuale kushtetuese “përbën sfidën më serioze për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial dhe funksional të Bosnje e Hercegovinës në 30 vjetët e fundit”.

Sipas autorëve, Republika Srpska ka ndërmarrë disa veprime dhe procese ligjore që minojnë rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, sidomos pas dënimit të presidentit të këtij entiteti, Millorad Dodik, më 26 shkurt, nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Këto veprime përfshijnë miratimin e disa ligjeve, si ai për ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska – përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë shtetërore, dhe agjencinë shtetërore për hetime (SIPA) – si dhe Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Srpska, dhe ligjin për regjistrin e posaçëm të organizatave joqeveritare.

Po ashtu, si veprime të kontestuara përmenden drafti i ri i Kushtetutës së Republikës Srpska, i prezantuar në mars, dhe Ligji për mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës Srpska.

Qëllimi i menjëhershëm i dokumentit është “shfuqizimi i ligjeve jokushtetuese dhe tërheqja e draftit të ri kushtetues”.

“Zgjidhja afatgjatë e krizës do të kërkojë, në veçanti, rikthimin e plotë dhe të pakthyeshëm të Republikës Sërpska në rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, rikthimin e përkushtimit të serbëve të Bosnjës për funksionimin e institucioneve shtetërore, dhe përmbushjen e të gjitha hapave të renditur në rekomandimin e Komisionit Evropian të datës 12 tetor 2022”, thuhet në dokument.

Sipas autorëve, masat që duhet të ndërmerren përfshijnë: kufizimin e mbështetjes financiare për Republikën Srpska, vendosjen e sanksioneve të synuara, ngadalësimin e procesit të anëtarësimit në BE, dhe ndërprerjen e kontakteve me zyrtarët e këtij entiteti.

Dokumenti kërkon që BE-ja të mbajë të pezulluara të gjitha projektet që janë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të dobishme për Republikën Srpska në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Komisioni Evropian nuk duhet të propozojë projekte të reja që janë të dobishme për Republikën Srpska. Kriteret për zhbllokimin e masave do të zhvillohen pasi udhëheqësja e Republikës Srpska të ndërmarrë hapa konstruktivë, me konsultim paraprak të shteteve anëtare.

Po ashtu, BE-ja duhet të koordinohet me institucione të tjera financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, për të adoptuar qasje të ngjashme. Ndihma financiare bilaterale për projekte që ndihmojnë Republikën Srpska duhet, gjithashtu, të pezullohet.

Sa i përket sanksioneve, propozohet përdorimi i kornizës ekzistuese për masa kufizuese kundër individëve apo entiteteve që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.

Të ngjashme