Në Kosovë deri më tani me variantin e ri të COVID-it, “Omicron”, janë konfirmuar 17 raste, mirëpo sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj të infektuarit nuk janë duke marrë trajtim në këtë klinikë.
Vishaj për Demokracia.com ka thënë se mundësia e diagnostikimit të pacientëve ka qenë deri më tash e limituar.
“Në Klinikën Infektive nuk e kemi pas ndonjë pacientë të shtrirë, e që ka qenë i konfirmuar me ‘Omicron’, por mbase me siguri ka në komunitet pacientë të tillë. Mirëpo mundësia e diagnostikimit të tyre, ndoshta ka qenë deri më tash e limituar, por si do që të jetë me qenë se shumica infeksioneve vijnë nga vendet ku tashmë ‘Omicron’ është prezent, me gjasë edhe te ne do të jetë ky variant në qarkullim”, tha Vishaj.
Ai tregoi më tej se gjatë ditëve të ardhshme pritet që numri i të infektuarve të rritet edhe më shumë.
“Padyshim që do të ketë një numër shumë të lartë të infektimeve edhe ditëve në vijim. Arsyeja është varianti i ri që tashmë ka mundësi të përhapet shumë. Jemi të rrezikuar edhe ne sikurse e gjithë Evropa me mundësi të përhapjes të një numri shumë të madh të pacientëve që do të jenë të infektuar gjatë ditëve të ardhshme”, tha ai për Demokracia.com.
Sipas Vishajt nuk ka koronavirus të pa rrezikshëm dhe se të gjithë variantet e mundshme të tij janë të rrezikshëm dhe paraqesin mundësi që potencialisht të përfundojnë edhe me vdekje.
Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur të enjten se një rekord prej 9.5 milionë rastesh me koronavirus u regjistruan gjatë javës së kaluar në botë, pasi varianti “Omicron” përfshiu planetin.
Megjithatë, sipas OBSH-së, numri i vdekjeve javore të regjistruara ra.
“Javën e kaluar, numri më i lartë i rasteve të COVID-19 u raportua deri më tani në pandemi”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Nga ana tjetër Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKU) ka njoftuar se 27 pacientë janë të shtrirë në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme.
“Në klinikat Covid-19 dhe spitalet e përgjithshme të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës janë të shtrirë 27 pacientë, prej tyre 6 pacientë të konfirmuar me Covid-19 pozitivë dhe 21 të tjerë post-Covid. Me oksigjeno-terapi janë 5 pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive nuk ka pacient”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë janë raportuar 144 raste të reja, kurse nuk është raportuar për raste të vdekjeve.
Ndërsa numri i rasteve aktive në Kosovës është 997. /Demokracia.com/