Lajme
Viola Von Cramon në Veri: Në biseda me serbët kam dëgjuar se ndjehen si qytetarë të dorës së dytë dhe se janë të diskriminuar
Demokracia
22:47 | 15 Janar 2024

Share:

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se në bisedën me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se “ata ndjehen si qytetarë të dorës së dytë”.

Këto komente ajo i bëri në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Kjo duhet marrë seriozisht. Në Graçanicë u takova me përfaqësuesit vendas serbë dhe me peshkopin e Kishës Ortodokse Serbe dhe ai dha disa shembuj të diskriminimit”, ka thënë ajo për median amerikane.

Von Cramon ka folur shkurtimisht edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proces për të cilin tha se ka punuar shumë, por ajo ka komentuar edhe mundësinë e liberalizimit të vizave për serbët e Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia, që për shtetin e Kosovës janë të kundërligjshme.

Këto janë pasaporta që paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë e Serbisë.

Ato as vetë Serbia nuk i konsideron si pasaporta të rregullta dhe me këto lloj pasaportash serbët nuk mund të udhëtonin lirshëm si pjesa tjetër e serbëve të Serbisë.

Jo fort e qartë, Von Cramon iu ka premtuar edhe atyre që do të mund të udhëtojnë pa viza.

“Ata që për ndonjë arsye nuk i kanë nxjerrë pasaportat e Kosovës, Komisioni ka vendosur që të mos i diskriminojë dhe pas procedurave të mund të udhëtojnë lirshëm”, deklaroi Von Cramon.

Von Cramon kishte marrë kritika të mëdha edhe në vizitën e fundit të saj në Veri të Kosovës, kur u kishte thënë policëve të Kosovës se “çfarë po kërkoni këtu”, derisa i kishte parë tek patrullonin me armë të gjatë në një kohë aspak stabile në atë pjesë të Kosovës.

Vetëm pak kohë më pas, Serbia organizoi një grup terrorist që tentoi futjen në Kosovë dhe marrjen e një pjesë të Veriut nën kontroll, cka e kishte bërë deklaratën e Von Cramon akoma më të pavend.

Të ngjashme