Lajme
“Viktimat kanë vdekur në errësirën e traumës së tyre”: Kërkesa e Vasfije Krasniqit për Osmanin, Kurtin e KGjK-në
Demokracia
09:22 | 17 Gusht 2023

Share:

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale, ka kërkuar nga shteti që të shqyrtohen rastet e refuzuara të të mbijetuarave të dhunë seksuale. Ajo ka thënë se nuk duhet të humbet kohë teksa ka treguar se shumë viktima kanë vdekur pa iu njohur statusi. Në anën tjetër aplikimi për është hapur.

Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ka filluar procesin e aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Krasniqi ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të të angazhohen për rishqyrtimin e rasteve të refuzuara.

Ajo ka thënë se sa më shpejt duhet të zgjidhen këto raste pasi të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës po vdesin pa iu njohur statusi.

“Letër e hapur Komisioni Qeveritar/NJVSPDHLÇK ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Personalisht kam takuar qindra viktima, shumë prej të cilave u është refuzuar paarsyeshëm statusi. Si viktimë, që kam kaluar gjithashtu nëpër një proces të mundimshëm verifikimi kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen, dhe të mbijetuarave që me vite po presin vendimet e gjykatave t’u njihet statusi. Është humbur shumë kohë dhe shumë viktima kanë vdekur në errësirën e traumës së tyre, Ju lutem mos lejoni që kjo të ndodhë edhe me të tjerat.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Krasniqi-Goodman më herët u kishte bërë thirrje të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që të lajmërohen në institucione që t’u njihet statusi i tyre.

Ndërkohë, ditë më parë, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ka bërë të ditur se ka filluar procesi për aplikimin për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Afati për aplikim është deri më 15 maj 2025. Shtyrja e afatit ishte bërë pas kërkesës së presidentes, Vjosa Osmani por edhe pas pakënaqësive të organizatave të ndryshme.

“Afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, për realizimin e të drejtave në pensione dhe benificione të përcaktuara sipas këtij ligji për viktima të dhunës seksuale gjatë luftës është deri më 15 maj 2025.” – thuhet në njoftim e tyre.

“Komisioni Qeveritar ndër vite ka bërë të pamundurën që të mbështesë të mbijetuarat/it duke i trajtuar me dinjitetin më të lartë që meritojnë dhe presin nga institucionet e Republikës së Kosovës. Komisioni Qeveritar do të vazhdoj punën e tij në ngritjen e ndërgjegjësimit për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për praktikat e tij që tashmë janë njohur si shembull pozitiv ndërkombëtarisht.” – thuhet ndër të tjera.

Aktualisht në Kosovës sipas të dhënave, 1.451 persona e kanë statusin e viktimave të dhunuara gjatë luftës.

Kujtojmë se 14 prilli në Kosovës është shpallur si Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës së fundit.

Të ngjashme