Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë është pyetur për situatën në veriun e vendit.
Kurti ka dhënë detaje nga takimi i djeshëm me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Në takimin e djeshëm që kemi pasur me emisarin evropian Lajçak, që në fakt është emisari i Borrellit, kemi diskutuar për të dyja temat edhe deeskalimin edhe normalizimin. Sa i përket deeskalimit unë i kam siguruar jo vetëm Lajçak dje, por edhe të dielën Borrellit se Qeveria e Kosovës kurrsesi nuk kontribuon në eskalim asnjëherë. Ne duam polici për zbatim të ligjit e siguri publike që nuk e përjashton askënd. E kam siguruar që policët që janë nëpër komuna në veri të vendit tonë, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethinën e atyre ndërtesave, sepse komunikatën që Borrelli e pati lëshuar nga Moldavia ku po mbahej samiti i komunitetit politik thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione. Unë ua konfirmova se nuk ka pasur dhe nuk ka operacione të tilla”, tha Kurti në konferencë, shkruan Demokracia.com.
Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, por që kjo duhet të bëhet në pajtim me Ligjin për Zgjedhje.
Kryeministri Kurti theksoi se fakti që nuk po ka zgjidhje është se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen.
Kjo deklaratë e Kurtit, që është i gatshëm për zgjedhje në katër komunat veriore, është diametralisht në kundërshtim me politikën e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, të paktën publikisht.
LVV-ja, dje përmes një video propaganduese dhe akuzuese, thoshte se partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të reja në veri porsi si Serbia. Megjithatë, në pjesën ku akuzohet opozita nga Lëvizja Vetëvendosje është injoruar tërësissht deklarata e Kurtit për zgjedhjet në veri. /Demokracia.com/