Lajme
VIDEO| “Ujqërit” e Putinit kërcënojnë Kosovën dhe Ukrainën: Kievi-Rusi, Kosova-Serbi
Demokracia
16:25 | 23 Shkurt 2022

Share:

Mbrëmë, Alexander Sergeyevich Zaldostanov, i njohur më nofkën “Kirurgu”, ka uruar të ashtuquajturat republika të Donetskut dhe Luhanskit për “çlirimin e tyre”, si dhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, shkruan Demokracia.com.

Zaldostanov, themelues dhe drejtues i klubit famëkeq rus të motoçikletave “Ujqërit e natës”, postoi një video në Facebook, me përshkrimin e mëposhtëm: – Mbaroi. Ujqërit e Natës falënderojnë Presidentin e Rusisë, dhe Donbassi uron vëllezërit e tij për Ditën e Çlirimit.

Në video shihet turma në selinë e “Ujqërve të natës” në Moskë, ku një numër i madh motoçiklistësh u mblodhën për të dëgjuar lajmin.

“I dashur Vladimir Vladimiroviq (Putin), që nga rënia e BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike), lufta ka qenë në pragun tonë. Ne ju ndihmuam në përpjekjet tuaja për të larguar armiqtë nga pragu… Nuk mund të presim një orë apo një ditë. Vëllezërit tanë dhe miqtë tanë janë atje në Donbass… Ne nuk jemi parti politike, as aspirojmë pushtet, por si qytetarë të Rusisë ne mbështesim vendimin tuaj për të njohur Donbassin”, dëgjohet duke folur “Kirurgu”.

Ai thotë se “Ujqërit e natës” janë gati të mbështesin Donbassin në çdo kohë dhe kudo.

Më pas dëgjohen thirrjet “Donbassi-Rusi, Kiev-Rusi, Kosovë-Serbi!”

Më 12 mars 2013, Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i dha Zaldostanov Urdhrin e Nderit për merita të jashtëzakonshme në edukimin patriotik të rinisë, pjesëmarrjen në operacionet e shpëtimit dhe kontributin në ruajtjen e kujtimit të heronjve të Luftës Patriotike.

“Kirurgu” është mirëpritur shpesh në Serbi, derisa në vazhdimësi ka provokuar Kosovën me deklarata nacionale dhe fyerje të ndryshme. /Demokracia.com/

Të ngjashme