Tre fëmijë nga Ukraina, janë pranuar sot në një qendër të qëndrimit ditor në Prishtinë.
Kjo, para se të vlerësohet nëse do të vazhdojnë edhe mësimin këtu.
Vogëlushët 8, 9 e 10 vjeç, janë të dy familjeve të cilat që nga e enjtja e javës së kaluar janë strehuar në një nga lagjet e kryeqytetit, tek një e afërme e tyre.
Nënat me fëmijë kanë ardhur me një makinë nga një qytet i vogël afër Kievit, me ftesë të kushërirës së tyre e cila është e martuar në Kosovë.
Refugjatet Mariya Kudirkos e Yulia Obodovskas, që preferojnë të mos i ekspozojnë fëmijët para mediave, që i kanë lënë burrat në Ukrainë, thonë se ndjehen të sigurta në Prishtinë, por se, çdo ditë e kanë mendjen të kthehen në vendlindje duke u lutur sa më shpejt të përfundojë lufta atje.
Në Ukrainë, i kanë lënë dhe familjarët e tjerë të ngushtë.
Këta fëmijë u pritën nga Gëzime Qollaku, drejtoreshë e IQD “Bardha”, në Prishtinë. Ajo deklaroi se pranimi i fëmijëve në këtë qendër po bëhet me qëllim që ata të socializohen me rrethin e ri dhe t’i harrojnë pamjet nga lufta prej kur kanë ikur.