Lajme
VIDEO| Shqipëria feston çeljen e negociatave, flamuri i BE-së ngrihet para Kryeministrisë
Demokracia
09:05 | 20 Korrik 2022

Share:

Shqipëria feston sot çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Në kuadër të organizimit të konferencës së parë ndërqeveritare, sot në godinën e kryeministrisë është ngritur flamuri i Bashkimit Europian. Të pranishëm janë kryeministri Rama dhe përfaqësues të BE.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u ulen dje në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë priteje, zvarritjesh dhe pengesash.

Kryeministri Rama dhe Dimitar Koveçevski u pritën nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe kryeministri i Republikës së Çekisë Petr Fiala.

Në fjalën e tij kryeministri Rama falenderoi nga njëra anë drejtuesit europianë, dhe presidencën franceze që bëri të mundur zhbllokimin e ngërçit mes Sofjes dhe Shkupit, por dhe popullin shqiptar “i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e udhëtimit europian.

Shqipëria mori nga Komisioni Evropian rekomandimin për hapjen e bisedimeve në vitin 2018 ndërsa nga Këshilli Evropian në mars të viti 2020. Por dje negociatat nisën zyrtarisht. Për të treguar pengesat e mëdha kryeministri Edi Rama i krahasoi në fjalën e tij në Konferencën ndërqeveritare me mitin e Sizifit. “BE-ja ka qene gjithmonë e me tepër për shqiptarët më shumë sesa raporte standarde, afate apo shkresa. Të gjithë ato gurë që rrotullohen do të kishin humbur lehtësisht poshtë kodrës nën presionin e këtyre viteve jashtëzakonisht të vështirë. Kërkimi ynë për Europën duhet të ishte kthyer në një punë jo frymëzuese. Nëse kjo nuk ndodhi është sepse integrimi plotë në Europë është për Shqipërinë dhe kombin shqiptar një çështje për jetë a vdekje”, u shpreh Rama.

“Bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nisën”. Me këtë fjali ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský, vendi i të cilit mban presidencën e radhës, mbylli dje punimet e konferencës së parë ndërqeveritare.

Lexo edhe: Çelen negociatat, Rama: S’më besohet, BE fati ynë! Evropa e bën Ballkanin më të mirë

Në shtator pritet që Shqipërisë t’i kërkohet të japë shpjegime se ku qëndron në raport me kërkesat e BE.

Të ngjashme