Lajme
VIDEO| Protestë në Podgoricë, qytetarët mblidhen para Kuvendit
Demokracia
18:53 | 08 Nëntor 2022

Share:

Pas situatës së re të krijuar në Mal të Zi, qytetarë të shumtë janë mbledhur të martën mbrëma para parlamentit në Podgoricë, për shkak të, siç thanë organizatorët, anarkisë kushtetuese, ekonomike dhe sociale në Mal të Zi.

Qytetarët e mbledhur mbajnë pankarta ku shkruhet “Jemi ne”, “Për Malin e Zi, për BE”, etj.

Përveç pankartave, po valëviten edhe flamujt e Malit të Zi, të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ukrainës.

Protesta është organizuar zyrtarisht nga “Forumi i Qytetarëve të Lirë- Luça”.

Protestuesit po kërkojnë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe tërheqjen nga procedura e propozimit të Ligjit për Presidentin.

Protesta po mbështetet nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët e Malit të Zi, Partia Socialdemokrate dhe Partia Liberale. Atë po ashtu e mbështeti edhe presidenti Millo Gjukanoviq.

“Mbështetje për tubimin protestues, qëllimi i të cilit është kthimi i besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve dhe mbrojtja e Malit të Zi”, tha Gjukanoviq, shkruan Klanklosova.tv.

Pas rënies së Qeverisë së Dritan Abazoviqit, Mali i Zi ende nuk ka arritur të formojë qeverinë e re. Në njërën anë, presidenti Gjukanoviq nuk ia ka dhënë mandatin shumicës për t’a formuar qeverinë, e në anën tjetër opozita ka iniciuar projektligjin për propozim ndryshimet për presidentin, gjë të cilën ai e ka kthyer tek Kuvendi në rishqyrtim. E gjithë situata është komplikuar edhe më shumë, meqë Gjykata Kushtetuese ka mbetur me vetëm 3 gjykatës nga 7 sa i ka krejt dhe kjo pamundëson që ky organ të marrë vendime.

Të ngjashme