Sot në fshatin Pemishte të Skenderajt, në 24 vjetorin e formimit të njësitit të UÇK-së, Togu i parë, Kompania e parë, Batalioni i tretë, Brigada 112 – Arben Haliti, Zona Operative e Drenicës, ku ishte e vendosur Pika e UÇK-së “Qarri”, është bërë inaugurimi i pllakës së objektit/shtabit të UÇK-së.
Fshati Pemishte i ishte përgjigjur kushtrimit të luftës për liri dhe këtë të shtunë kujtoi edhe dëshmorët e fshatit, profesorin Ajet Beqiri, komandantin Mustafë Qorri dhe dëshmorët Shukri Qorri e Isuf Sadikaj së bashku me 19 martirët e familjes Imeraj të vrarë nga paramilitarët serbë.
Demokracia.com ka qëndruar në Pemishte (ish-Padalishtë), në shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm të luftës sonë çlirimtare.
Rënia heroike e Mustafë Qorrit
Në orën 11:00 kanë filluar homazhet te varri i dëshmorit Mustafë Qorri, i cili pikërisht 23 vjet më parë ra heroikisht në fshatin Pemishte.
I biri i Mustafës, Shpetimi, që kishte ardhur nga Amerika për këtë datë të shënuar tregoi momentin kur e kishte kuptuar vrasjen e babait.
Shpetimi, që asokohe ishte 13 vjeçar, thotë se një kujtim i ka mbetur në mendje dhe nuk e harron kurrë, kur kushëririt të tij ia kishte vërejtur orën e babait.
Përkujtohen 19 martirët e familjes Imeraj
Po ashtu, sot në Pemishte është shënuar 23 vjetori i masakrës së familjes Imeraj, ku kriminelët serbë masakruan 19 anëtarë të familjes, në mesin e të cilëve 11 femra dhe 5 fëmijë të moshës 2 – 16 vjeç.
Në përkujtim të kësaj masakre, përveç familjarëve, morën pjesë edhe zyrtarë të komunës së Skenderajt dhe asaj të Istogut.
Zbulimi i pllakës në pikën e UÇK-së “Qarri”
Në fshatin Pemishte është zbuluar pllaka në objektin e UÇK-së, ku nga viti 1998 deri në përfundim të luftës ishte pika e qëndrimit të luftëtarëve të Togut të Parë.
Shtëpia tashmë muze është pronë e Halil Beqirit, babait të dëshmorit Ajet Beqiri.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, nënkryetari i Istogut, Ali Nimanaj, deputetja Ganimete Musliu, grupi i motoristëve ‘Veteranët e UÇK-së’ dhe shumë të tjerë.
Kryetari i veteranëve të Skenderajt, Emin Lati, e ka falënderuar Halil Beqirin që shtëpinë e tij e lëshoi për shtab të Togut të Parë të UÇK-së dhe për kontributin e tij, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj.
“Unë jam i lumtur që sadopak mundi im po jepet për një të ardhme. Edhe e kaluara ime ka qenë gjithmonë në shërbim të atdheut”, ka thënë Halil Beqiri. /Demokracia.com/