Lajme
VIDEO| Momenti emocionues kur Hysni Gucati arrin në shtëpi dhe përqafon nipat e mbesat e tij
Demokracia
17:21 | 12 Maj 2022

Share:

Ish-kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, mëngjesin e sotëm erdhi në Kosovë nga Haga, ku po mbahet në paraburgim prej muajsh, për të vizituar babanë e tij, i cili është i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës.

Demokracia.com ka siguruar një video ekskluzive nga takimi i Gucatit me mbesa e nipa.

Për ardhjen e tij në Kosovë kanë folur edhe nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Zëdhënësi Michael Doyle, e ka konfirmuar vizitën e Gucatit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë në Kosovë për z. Gucati që të takojë familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në mbajtje nga Dhomat e Specializuara”.

Doyle tha se EULEX-i dhe Policia e Kosovës po ndihmojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës për këtë vizitë.

Gucati nën përcjellje u pa duke dalë nga Spitali i Mitrovicës pasi vizitoi babanë e tij, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Megjithatë, Dhomat e Specializuara nuk e bënë të ditur kohëzgjatjen e vizitës së Gucatit në Kosovë.

Trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith II, ka caktuar datën e shpalljes së aktgjykimit në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ku vendosi që kjo datë të jetë 18 maji 2022, ora 10:00. Gucati u arrestua më 25 shtator 2020 në Prishtinë. Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Të ngjashme